Header Ads

Seksi dhe qyteti - Filmat sipas komshijes sime


Hajde më thotë Qazimi (im shoq) se do shkojmë të shikojmë "Seksin dhe Qytetin". E pashë një herë ti bie thashë me vet a mos ti bie. Një herë që bëjnë një film komplet për ne femrat do të vij ky, po pastaj nuk ja prisha. Normale, ja do filloj kampionati botëror i futbollit dhe unë bashkë me atë tek klubi "Birraria e komunitetit shqipëtar". Filloi filmi dolën katër gra me katër ngjyra të ndryshme flokësh të veshura shumë bukur. "Ku jetojnë në Nju Jork këto moj?" më thotë ky i imi...e pashë nuk ju përgjigja. "Moj se mos ka ndonjë Nju Jork tjetër e na kanë gënjyer jetojmë kot këtu" më thotë prapë. Nuk i bëra zë. Në fakt kishte pak të drejtë, si vishen këto me motër sikur jetojnë në pasarela tërë ditën. pale që njëra më gatuante dhe me fustan firmato sikur të ishte nuse prej Korçe! Aman gatim i thënçin, vendoste krem mbi bukë. Më zuri një e qeshur e madhe mua nuk pushoja. Gatuante ajo! Të gjitha më shikonin si të çmendur.Pastaj kur goca e asaj ja vuri duart me krem në fustan...mua të fikët! E kam sharë atë kalama mistrec që ja prishi fustanin firmato...kur shikoj rreth e qark këto amerikankat qeshnin. Pikaaaaa! Ç'kishte për të qeshur aty? 5000 dollarë fustan në plera! E hëngëëëërt! Mesa kuptova unë, këto femrat, pasi ja nxorrën namin e keq vetes në Nju Jork, i çuan në Arabi për ti treguar sesi sillen femrat e mira. Ene shkuan këto atje dhe ju pëlqeu Arabia saaa o Zot ja re bir! Arabi kështu Arabi ashtu! Pastaj nga fundi kur e morën vesh që Arabia e kishte 20.000 dollarë natën apo katër fustane firmato në gjuhën e këtyre, ja futën vrapit ikën për një orë. Shkoi tjetra në mes të shkretëtirës me taka e me fustan nga ato të ballos edhe thoshtë nuk e dija unë që do dilnim në shkretëtirë. Po Arabia e tërë shkretëtirë është moj derëbardhë ku presje të shkoje ti. Pika!!! pasi i bënë një orë reklam hotelit i futën një xhiro nga tregu ku do blinin shoshka dhe çfarë koeçidence moj motër, në mes të arabëve pa ish të dashurin e pastaj pesë minuta më vonë u puthën. Sa u trishtuaaaa ajo kaçurrelsja sa u trishtua! Kjo ka puthur gjysmën e Nju Jorkut more, u bë keq se puthi ish të dashurin...aman na mbushi mëndjen. Po kur i tha burri vetë që të bënin dy ditë në javë pushim! Ja ta provoj Qazimi ti kërkoj ato dy ditët se e di ku i gjen. Turni i tretë roje godine të paguhet ekstra atë më gjen. Andej nga fundi bënë ç'bënë, duruan arabët dhe deshën ti kthenin mbrapsh ndaj, u menduan u menduan dhe si çfarë bënë? Çojnë atë Samantën të bëj seks në publik gjë që në Arabi dënohet me ligj. Kur e panë që dhe atë ja falën, i futën një kile me prezervativë në çantë dhe e degjeneruan në mes të pazarit. Po ku degjenerohej Samanta! Ajo ishte krejzi mo krejzi fare! I thoshte atyre sesi e bënte. Ja të iki ndonjëra ta provojë atë punë me të vërtetë se kur ta mbulojnë me gurë. Pikaaaaaaaa! Me tërmend kjo? Dhe kështu mbaroi filmi u kthyen këto të lumtura në Amerikë. Më mirë të dali nami sesa pa ...atë nishanin ishte kuptimi i këtij filmi. Kur po dilnim Qazimit i qeshte buza vesh më vesh. Atëherë me erdhi inat, se dhe një film që e bëjnë për neve e bëjnë sikur u përgjëruam për budalliqe, e të qesh ky me filmat e mi?! Bam! Ja kërrcita një herë të vinte në realitetë se shkojmë në shtëpi e kushedi ç'e gënjen mëndja, po më blen ndonjë fustan 5000 dollarësh e po kërkon ti gatuaj me atë veshur.Ja më la mendja mua!


No comments

Note: Only a member of this blog may post a comment.

Powered by Blogger.