Gjira - Reflektim EP
Prej 2014, kur albumi debutues i Gjirës “Dimi e Patika” u publikua në tregun muzikor, shumë gjëra kanë ndryshuar. Jo vetëm prurjet dhe biznesi muzikor, por dhe vetë jeta e Gjirës. Tashmë e martuar dhe me dy fëmijë të mrekullueshëm, këngëtarja e njohur për hitet “Deja Vu”, “A po ta don?”, “Psikopat”, “Çka po don me t’knu zemër?” e sigurisht “Ditë e re nafakë e re”, sjell një album EP i cili duket se reflekton këtë ndryshim. Këngëtarja vjen më e matur jo vetëm artistikisht, por dhe vokalisht. Duket qartë që këngët e këtij EP janë personale dhe janë një ftesë prej Gjirës në botën e saj jo vetëm si artiste, por dhe si prishtinalie, si shqiptare, si një prej dëgjuesve të saj. Një ndryshim, larg ritmeve dhe rebelimeve që karakterizonin albumin e saj të parë, “Reflektim” ka një vijë pothuajse akustike që bën të dalin më në pah vlerat vokale të këngëtares, por dhe përcjell më emocionalisht këto këngë tek dëgjuesi. Një prej momenteve më të bukura dhe më prekse të këtij EP është dhe kënga “Këngë Gurbeti” një duet i këngëtares me nënën e saj Qamile Kajtazi. Nuk jam i sigurt nëse është e njëjta këngë, por mbaj mend që para disa muajsh Gjira ka postuar në Instagram një klip kënge me mesazh shumë prekës rreth përjetimeve si fëmijë gjatë ngjarjeve në Kosovë në fundvitet ’90. Gjëja e parë që kam menduar ishte që ta sillte në versionin e saj dhe më pëlqen shumë kjo zgjidhje. Kënga të bën të ndihesh sikur je pjesë e një filmi e një historie në kohë. Teksa artistët vendas janë më të përqëndruar tek klikimet dhe kërkesat e publikut, këto këngë nga Gjira veçohen nga çdo prodhim në treg për cilësinë e tyre artistike. Ndoshta nuk do të kenë një sukses të madh komercial, por në të ardhmen, kur artistja të hedhi shikimin pas në krijimtarinë e saj, do jetë krenare që ka sjell në treg disa prej punëve më të mira të karrierës e një prej EP më të mirë artistikisht të vitit.
Gjira
EP: Reflektim
Prishtina
Këngë Gurbeti
Lehtë
Pate
Post a Comment