Faust
Këtë javë shkuam të shikojmë “Fausti” në Teatrin Kombëtar, një shfaqje e cila që prej premierës së saj i ka pasur të shitura të gjitha biletat.
Po pra po…ne jena ndonjëherë dhe pak intelektual dhe pak artistë, nuk bojna kot. Dalim ndonjëherë nga Sami Frashëri fundjavave. Jo sinqerisht ui lov dhiatër!
Në ditën që ndoqëm këtë pjesë teatrale, shumica e spektatorëve i përkisnin moshave të reja, çka na çuditi, por dhe na gëzoi. 80% e sallës ishte e mbushur me të rinj nga 18/19 - 25/28 vjeç. Jo po se thonë rinia nuk lexon, rinia nuk shikon, jo më jo aty ishin të gjithë dhe na u bë shumë qejfi. Drama që kur u ulëm, parashikuam të ishte fantastike, nga muhabeti i disa vajzave ngjitur me ne të cilat po bënin muhabet morri. Kur më qëllojnë mua të gjitha, e them gjithmonë, por s’më beson kush. Po mirë mi goca për aty e kishit lënë atë muhabet? Kalova gjithë shfaqjen tu mëshu nga ana tjetër se unë aq dua hahahhahaha. Petulla! I ka lënë atobusi njerzit, s’kanë më etikë fare. Jalla! Nejse.
“Faust” (origjinali) është një dramë e njohur klasike nga Gëte mbështetur në folklorin gjerman e cila flet për një profesor të pakënaqur nga jeta, i cili bie në depresion dhe lidh një pakt me Mefistofelin (djallin). Ky pakt i jep Faustit shërbimet e Mefistofelit dhe sukses për 24 vjetë (Marlou) në shkëmbim të shpirtit të tij në botën e përtejshme. Fausti në fund të historisë shkon në Parajsë ose në rastin e Spajs, në ferr. Fausti i Davide Iodice vjen në një tjetër version. Faust nuk nënshkruan një pakt me djallin, dhe figura e tij (djallit) prezantohet më tepër si një e keqe/vështirësi e jetës së përditshme sesa një figurë fetare, në udhëtimin shpirtëror të Faustit.
Shfaqja ishte, fantastike. Shitja totale e biletave mëse e merituar. Na pëlqeu shumë skenografia dhe koreografia. Lëvizja e vazhdueshme e dyerve, një gjetje perfekte (dhe pak problematike andej nga fundi lol). Skenografia përshtatej shumë mirë me pjesën, si një pasqyrë e trishtimit që dikush përjeton gjatë një historie të tillë. Si një vështrim në shpirtin e Faustit më tepër sesa të vëndit ku zhvillohet ngjarja. Thjesht super!
Ema Andrea ishte fantastike. Jo vetëm, sepse është Ema Andrea, por çdo pjesë e interpretimit ishte e kuruar me përkujdesshmëri. Lëvizjet, ndryshimi tonalitetit, ndryshimi shprehik, një magji. E kur themi ndryshimi, nënkuptojmë një shndërrim total në interpretim nga një ekstrem në tjetrin me lehtësinë më të madhe. Të përcjellë në një mënyrë që nuk e nxjerr personazhin jashtë karakterit apo lojës dhe pa e dëmtuar pjesën. Aktorët e tjerë gjithashtu ishin shumë të mirë, por në atë aspektin klasik të interpretimit (dhe pse pjesa pak a shumë e kërkon diçka të tillë ) , çka bënte që performanca e Emës të binte më në vëmendje.
Salla e teatrit ku mbahen momentalisht shfaqjet, ka një problem akustik. Nëse ulesh në rradhët e mësipërme, shumë shpesh aktorët nuk dëgjohen mirë. Tjetër problem i vazhdueshëm janë xhirimet e fotot me celular. Ai/ajo që bënte foto me blic, tu fshifshin të gjitha fotot. A janë normal këta njerëz? Po këta që më xhirojnë gjysmën e shfaqjes? Po ju ardht’ ndonjëri tek puna ju xhiroftë dhe juve gjysëm ore ta shikojmë si ndiheni. Po nuk o tu pa njeri 20 minuta shfaqje në Instagramin tuaj, kini pak respekt. Tmerr. Nejse, nuk kam nevoj të ju them shkoni në teatër, sepse kur pjesa është e bukur të gjithë shkojnë vetë. Suksesi i “Faustit” ka bërë që ti shtohen dhe tre data të tjera 15-16 dhe 17 nëntor. Merrni biletat para se të jenë të shitura në mos janë shitur.
Fausti (Gëte)
Regjia: Davide Iodice (frymëzuar nga Marlou, Spajs, Gëte)
As/regjisor: Genti Deçka
Skenari:Fabio Pisano
Në role: Hervin Çuli, Ema Andrea, Niada Saliasi, Gert Ferra, Indrit Çobani, Lulzim Zeqja, Besmir Bitraku, Ina Gjonçi, Krist Lleshi, Genti Deçka.
Post a Comment