Noizy surprizon në filmin Troubleshooters
Në fund të fundjavës kur shënohen dhe numrat e arritur nga shitjet e biletave, një gjë është e sigurtë “Troubleshooters”, filmi ku interpretojnë në role kryesore Blerim Destani dhe Noizy, do të shënoj një rekord pjesmarrjeje. Filmi ka pasur sot premierën në Tiranë ku është pritur me sukses dhe së shpejti do të shfaqet në disa qytete europiane. Përveç Noizyt dhe Blerim Destanit, disa emra të tjerë të njohur kinematografik për publikun brenda dhe jashtë vendit shfaqen në këtë film si Rajmonda Bulku, Arben Bajraktaraj, James Biberi etj. Filmi i përket kategorisë komedi-fizike dhe aksion. Në këtë aspekt është i realizuar shumë mirë.
Noizy surprizon me interpretimin e tij dhe po, aktron bukur. Ka dy skena që janë shumë gallatë (do i kuptoni kur të shikoni filmin). Të gjitha batutat i përcjell në mënyrë perfekte dhe është natyral. Nëse e ndiqni në median sociale ju tashmë e njihni këtë anë të tijën, por tjetër spontaniteti dhe tjetër aktrimi. Së bashku me Blerim Destanin kombinohen shumë mirë në rolet përkatëse çka bën që filmi të jetë më i shikueshëm. Aktorët e tjerë, janë të njohur për publikun, mbajnë peshën e tyre dhe nuk kanë nevojë për koment.
Na pëlqeu shumë Flonja Kodheli e cila interpreton shumë natyrshëm, shumë pastër e pa teatralizma SHYQYR më në fund po arrijmë në këtë pikë. Sa herë e kemi thënë fjalën shumë deri tani? Sa të duash!
Irgen Çela në rolin e Gigit ishte një zgjedhje shumë e mire jo vetëm si aktor, por dhe si personazh filmi. Mendojmë që është një film që nuk duhet ta lini pa e parë dhe për nga cilësia dhe realizimi është në të njëjtin nivel me filmat ndërkombëtarë të këtij zhanri. Ka disa probleme të vogla që normale ne nuk rrimë dot pa i thënë, se me filmat jemi kështu si të fisuar. Përshembull (pa zbuluar detaje), kur njëri ndjek njërën , në hijet e dritareve të hotelit ata duken dy metra larg, ndërsa kur dalin janë në distancë 20 metra lol. Dy dedektivët kanë të njëjtën veshje për ditë me rradhë, ngasin makinë luksoze ndërkohë që kërkohen etj. etj, por në këtë zhanër janë gjëra që pranohen.
Skenari duket si i menduar në anglisht dhe përshtatur në shqip e ka pika që mund të kishin sjellë skena më interesante, si përshembull kur personazhi Blerimit (Luani) “aksidentalisht rreh” dikë, ndërsa Noizy (Amiri) nuk e kishte mendjen, mund të kish thënë një batutë sikur e rrahu vetë blla blla blla. Dashke shumë nga jeta ti byrazer. Të pëlqeu apo jo filmi si i thonë asaj? Neve na pëlqeu. Besojmë se seria e dytë mund të jetë në plan e sipër dhe mëse e merituar. Shpresojmë, që mos ta lënë thjesht me publikun shqiptar, por dhe ti shesin të drejtat për tregjet e huaja, sepse është nga ata filma që gjithmonë kanë për të gjetur audiencë. Aman vetëm Gigin mos na e hiqni!
Filmi: Troubleshooters
Regjia: Nico Zavelberg
Skenari: Stefan Retzbach
Në role: Blerim Destani, Noizy, Arben Bajraktaraj, Flonja Kodheli, Irgen Çela, James Biberi, Rajmonda Bulku etj.
Post a Comment