Gjesti për president!
Nëse pyet çdo shqiptar se kush është presidenti i Shqipërisë… është shumë e mundshme që 3/4 e tyre nuk ia dinë emrin. Meqë ra fjala, quhet Bajram... një sekondë: “Oj Siri, Bajram kush moj?” — Bajram Begaj. Edhe unë jam tek ato 3/4. Nuk ia vë fajin askujt; presidentin e sheh veç nëse futesh në burime zyrtare.Ama pyet shqiptarët se kush është Gjesti, dhe je i sigurt që të paktën 90% e tyre e njohin. Jo vetëm kaq, por mund të tregojnë si, qysh, tek dhe gjithë historinë e tij. Normale… Gjesti është personazhi shqiptar më i kërkuar i vitit 2025 në Google. Emri i tij është kërkuar 4.6 milionë herë që nga momenti kur u shfaq, afro gjashtë muaj më parë, në televizion. Emri i presidentit? Është kërkuar vetëm 269 mijë herë në gjithë karrierën e tij.Eh, kuptohet… figurat televizive janë gjithmonë më të ndjekura, më të kërkuara. Pastaj keni Lulzim Bashën, që është kërkuar 498 mijë herë në gjithë karrierën e tij, Sali Berishën me 1.3 milionë dhe Edi Ramën me 6.1 milionë. Mendoni që janë persona me afro tre dekada karrierë politike, pa llogaritur përmendjet në shtypin e huaj.Pse po e sjell muhabetin këndej? Sepse për tre javë, Shqipëria vendos të ardhmen e saj. Janë zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. E dini sa herë është kërkuar informacion për to? Vetëm 271 mijë herë. Big Brother? 3.8 milionë herë.Populli ynë ka prioritete të çuditshme. Njëra vendos për jetën tuaj në katër vitet e ardhshme, tjetra është një program dëfryes.E them, sepse sa herë bisedon me shqiptarët, çdo muhabet merr këtë drejtim: “Këtu nuk bëhet”, “Qeveria nuk bën”, “I gjati”, “I shkurtëri”, “Këtu nuk jetohet”, “Këta janë kështu/ashtu”… Po ju, çfarë bëni për ta ndryshuar këtë? As edhe një kërkim të thjeshtë. Lmao. Nuk është qeveria, daku, jeni ju. Nuk kanë asnjë interes, përveçse të ankohen. Ok!Aman, po të kandidonte Gjesti për deputet a kryetar partie? Nonaaaa, nëse nuk do kishte fituar! Të paktën do ishit dëfryer. Jo se këta të politikës nuk bëjnë meme çdo ditë, por të paktën ky dhe këndon.Kam afro tre dekada që jetoj jashtë, dhe nuk kam parë kurrë një histeri masive për një program televiziv dhe një indiferencë kaq të madhe për një event që vendos të ardhmen e një populli. Si një episod i Black Mirror. Ndryshimi i vetëm është se dihet që Big Brother rikthehet sërish vitin tjetër, por jo se çfarë e ardhme e pret vendin në katër vitet e ardhshme. Ndoshta po t’i bënin zgjedhjet në formatin e Big Brother, njerëzit do të ishin jo vetëm më të interesuar, por edhe më të informuar. Me këto statistika, nëse Gjesti (po të kishte shtetësinë shqiptare) hedh kandidaturën nesër, në 11 maj e keni deputet.
Post a Comment