Noizy - Icon (Albumi)
Nëse do diskutonim se kush është reperi më i mirë në Shqipe, mendimet do ishin nga më të ndryshmet e nga më të diskutueshmet. Po nëse do të vlerësonim se kush është reperi më i mirë bazuar në shifra, atëherë Noizy padyshim merr fronin. Momentalisht ai ka 4.4 milion dëgjues mujor në Spotify (gati trefishin e çdo artisti tjetër). Ka pothuajse 800 mijë dëgjues (gati dyfishin e të tjerëve), këngën më të dëgjuar të viteve të fundit në Spotify — Follow You (mbi 83 milion dëgjime) dhe albumin më të dëgjuar Icon me mbi 92 milion dëgjime. E njëjta gjë dhe në YouTube. Ai kryeson me 1.8 milion abonues dhe videot e tij kanë akumuluar mbi 2.1 miliard shikime.
Pastaj mund të vazhdojmë me koncertet, bashkëpunimet, Alpha e të tjera arritje të cilat e kanë shndërruar atë në një emër të njohur për mbarë publikun shqiptar. E mbi të gjitha, ai duhet vlerësuar që ka arritur t’i provojë të kundërtën dhe ta vlerësojnë të gjithë ata që në fillimet e tij nuk e merrnin me seriozisht.
Kur arrin një status të tillë veç, krijohet një problem. Dashje pa dashje, suksesi i kalon kufijtë e hip-hop-it dhe emri i tij tashmë është bërë i njohur edhe në skenën e pop. Ndaj publikimi i një albumi të ri kërkohet që t’i serviret të dy fanbase-ve. Nga një anë duhet t’i qëndrosh besnik fansave të hip-hop-it të cilët kanë qenë me ty që prej fillimit, e nga ana tjetër fansave të pop-it të cilët të kanë shtuar popullaritetin.
Fatmirësisht, në 19 këngët e Icon, Noizy ka servirur pikërisht këtë; pak për të gjithë, duke mos tradhtuar asnjë prej fansave të tij. Nga një anë keni Më dukeni, King Kong, Icon, Çantën, dhe nga ana tjetër Dashni ke ra, Shoqe, Follow You, Vllazni apo Netët e vona.
Icon është një album i realizuar mirë. Është një album i Noizyt, në kuptimin që në këtë pikë ai tashmë ka krijuar një farë identiteti muzikor që e veçon nga të tjerët.
Ndërkohë… se normalisht do e them diçka unë HA! Kur dëgjova Follow You, sinqerisht mendova që, Noizy po sjell një ndryshim total në çka po dëgjojmë momentalisht në skenën e hip-hop-it shqip. Teksa besoj që në karrierën e një artisti është e rëndësishme t’i qëndrosh besnik ritmit tënd, gjithashtu mendoj që herë pas here ka nevojë për një farë eksperimentimi apo evolimi. Dua të them, teksa Icon është një album shumë i mirë, duke qenë në krye të hip-hop-it a nuk është ndoshta e pritshme nga Noizy edhe një farë tingulli i ri?
Megjithatë, mund të jemi duke folur edhe pak si herët, pasi ai ka paralajmëruar edhe disa projekte të tjera, ndaj le të shohim. Thjesht, mendoj që evolimi personal dhe i tregut duhet të jetë paralel, dhe shoh që brezi i ri i artistëve në Shqipe nuk po krijon për t’iu përshtatur tregut shqiptar, por atij botëror, e si pasojë po sjellin disa krijime jashtëzakonisht të mira dhe ndryshe nga brezi para tyre. E di këtë, sepse shoh që playlist-at e mia po mbushen me këngë nga këta artistë të rinj. E ai ndryshim i Noizy në Follow You rezultoi efikas apo jo?
Albumin momentalisht mund ta dëgjoni të plotë në Spotify. Ne do të veçonim:
PaPaPa
Dashni ke ra
Follow You
Çantën
King Kong
Vllazni
Do Do
Netët e vona

Post a Comment