Drita e Lunês - Intervistë me Luna Çausholli

 




Luna Çausholli është një nga ato këngëtare e cila, kur shfaqet në skenë, rrezaton një energji aq pozitive, saqë ti e di se që nga ai moment gjithçka do të bëhet më mirë. Dhe ashtu ndodh. Këngë pas këngë, ajo ka filluar ta bëjë për vete publikun shqiptar, i cili ka nevojë për një farë ndryshimi dhe shumëllojshmëri muzikore. E Luna, me muzikën e saj, ofron pikërisht këtë: një ndryshim. Por, pavarësisht se në moshë të re, Luna ka që prej fëmijërisë që merret me muzikë, duke marrë pjesë në disa prej eventeve më të njohura të muzikës shqiptare si Festivali i Këngës në RTSH dhe RTK, Kënga Magjike, X Factor etj., duke formuar kështu një prej personazheve muzikore më të veçanta në Shqipëri. Albumi i saj debutues Full Moonlight, nga shtëpia diskografike Sony, me të cilën ka lidhur një kontratë trevjeçare, është një prej albumeve më të mirë debutues të viteve të fundit, të cilin mund ta dëgjoni në të gjitha platformat dixhitale.


Elbino:Vitin që shkoi ju pamë të konkuronit te Kënga Magjike, në kategorinë e artistëve të rinj. Por shumë nuk e dinë që Luna nuk është dhe aq “e re” në muzikë. Mund të na tregoni pak për fillimet dhe arritjet tuaja në karrierën muzikore?

Luna: Muzikën e kam filluar me kitarën në moshën 14 vjeç. Ajo më bëri të zbuloj një dashuri të madhe për muzikën, e cila tejkaloi çdo çast emocionues apo gëzim të moshës në të cilën isha. Kam dëgjuar gjithmonë muzikë të mirë, cilësore, artistë të talentuar dhe profesionistë që përcillnin në artin e tyre mesazhe të rëndësishme. Duke luajtur në kitarë, fillova të këndoj tingujt e të ndjej akoma më shumë që brenda meje kisha diçka që duhej ta zbuloja. Me kalimin e kohës fillova të shkruaj vetë muzikë, u ndjeva e aftë për të marrë pjesë në kompeticione, vendosa që edhe studimet e larta t’i vijoj për muzikë dhe jam sot e dhënë kokë e këmbë me artin më të bukur në botë, që është muzika. Përveç pjesëmarrjes në shumë kompeticione muzikore në Shqipëri, unë quaj sukses të madh gjetjen e vendit që më bën të ndjehem vetja, dhe ajo është MUZIKA!






2024 ishte një vit i suksesshëm për ju. Duket se i keni fituar zemrat e të gjithëve – madje edhe Elsa Lila ju vlerësoi duke ju thënë se muzika shqiptare ka nevojë për më shumë këngë si tuajat. Sa të rëndësishme janë për ju vlerësime të tilla dhe si ju bëjnë të ndiheni?

Vlerësimet e artistëve profesionistë e sidomos të një dive, siç është Elsa Lila, ndikojnë në rritjen e vetëbesimit dhe më japin një kënaqësi të jashtëzakonshme dhe krahë e forcë për të punuar. Më motivojnë dhe frymëzojnë në mënyrën më të bukur të mundshme. Një artist i ri e ka të domosdoshëm një çast vlerësimi nga profesionistët.


Më pëlqen te ju fakti që i qëndroni besnike vetvetes dhe preferencave tuaja muzikore, por në të njëjtën kohë sillni diçka të re në tregun shqiptar. Sepse, siç e dimë, tregu ynë është përqendruar në dy-tre zhanre specifike dhe duket sikur nuk lë shumë hapësirë për më shumë. Si e keni gjetur veten në këtë realitet dhe a ka qenë e vështirë për ju?

Kur bën gjënë që do, nuk të ndikojnë shumë vështirësitë për të ecur përpara; ato të maturojnë dhe krijojnë eksperienca. Sigurisht një artist i përgjegjshëm nuk mund të bëjë vetëm muzikë për të kënaqur veten, ndaj edhe unë kam shumë të rëndësishëm duartrokitjet dhe pëlqimin e publikut. Megjithëse muzika ime është ajo muzikë të cilën publiku shqiptar nuk e ka dëgjuar shpesh, jam e sigurt që do ta pëlqejë, përqafojë dhe këndojë këngët e mia.





Oh! M’u kujtua me kë më ngjani! Me kantautoren Jewel, që është shumë e njohur në Amerikë. E njihni atë dhe muzikën e saj? Foolish Games? You Were Meant for Me?

Sigurisht që e njoh dhe të falënderoj për krahasimin. Shpresoj t’i ngjaj edhe me klikime, HAHAHAHA!

Këtë verë debutoni në treg me një EP të realizuar jashtëzakonisht mirë: Full Moonlight. Na flisni pak rreth këtij debutimi.

Nuk e besoj akoma që u bë realitet realizimi i EP-së, e cila sjell për mua ndjesitë e fluturave në stomak të dashurisë së parë. Janë tingujt dhe fjalët e sinqerta të shpirtit tim, të moshës së adoleshencës. Duket që kam kaluar një adoleshencë të qetë, HAHAHAH, pak filozofike, por çka ka më shumë rëndësi, e mbushur me muzikë.


Ju gjithashtu jeni tekstshkruese dhe kompozitore. Kjo është diçka që e shoh përherë e më shpesh te talentet e brezit të ri dhe e vlerësoj shumë. Besoj se kjo e bën edhe më të lehtë përcjelljen e çdo mesazhi e ndjenje te publiku, apo jo? Dua të them – është ndryshe kur këndon krijimin e dikujt tjetër dhe ndryshe kur këndon diçka që buron nga shpirti yt…

Unë, përveç krijimeve të mia, kam pasur fatin të këndoj edhe këngë të krijuesve më të mirë shqiptarë, si në muzikë ashtu edhe në tekst. Kur këndon diçka të bukur që shpirti yt e pranon dhe e përcjell, nuk ka rëndësi se i kujt është krijimi. Meqë më jepet rasti, më lejo të falënderoj frymëzuesit e këndimit tim me emocion: Kledi Bahiti, Endrit Shani, Jeris Kaso, Valter Beqo, Pandi Laço, Rozana Radi, Ermira Causholli, Dylan Reka, dhe mentorët e mi në X Factor, Elhaida Dani dhe Land Kademi.





Katër nga pesë këngët e albumit janë në anglisht. Pse kjo zgjedhje? A është kjo edhe një tentativë për të debutuar në tregun ndërkombëtar?

Me të thënë të drejtën, tekstet e këngëve më vijnë natyrshëm në anglisht, ndoshta ngaqë nuk kam konkurrencë se me poezitë e Pandi Laços dhe të tekstshkruesve më të mirë shqiptarë as nuk marr mundimin të krahasohem. E kam shumë të rëndësishme të më pëlqejnë shqiptarët, kjo gjë do më bënte jashtëzakonisht të lumtur. Por nëse një shqiptare tjetër do të ishte pjesë e shijeve të publikut ndërkombëtar, edhe këtë çast, me të thënë të drejtën, e mirëpres.


Pyes, sepse vërtet mendoj që duhet të tentosh! My Creation, për shembull, është super – një single shumë i mirë për radio. Do të ishte perfekt për tregun muzikor në… Suedi, Angli, Gjermani, SHBA – vende ku këngë të tilla janë gjithmonë në toplista.

Së pari të falënderoj shumë për dashamirësinë dhe krahasimet në nivele shumë të larta që i bën muzikës sime dhe mua. Analizës profesionale dhe një mbështetje që ndjehet në çdo pyetje. 🙏🏻 Do të doja shumë që muzika ime të rrëmbente zemrat e njerëzve edhe ndërkombëtarisht.


Tani, të gjithë thonë: “krijimet e mia i dua njësoj”… por, për shembull, cila është ajo këngë nga ky album që gjithmonë e gjen veten duke e kënduar? Unë për vete jam fiksuar me Don’t Forget About Me – megjithëse më duket se My Creation po fillon t’ia zërë vendin… ha!

“Don’t Forget About Me” është krijimi im i parë kur isha 16 vjeç, “My Creation” është e preferuar e dy motrave të mia të vogla dhe mami, ndërsa unë këndoj shpesh “Full Moonlight” dhe “Gravitet”.


A do të jeni këtë vit te Kënga Magjike apo te Festivali i Këngës (në Kosovë apo Shqipëri)? 

Surpriza të bukura po vijnë… E dua skenën shqiptare, cilado qoftë ajo.







Dhe së fundi – ku është koncerti juaj i radhës? Duhet patjetër të vijmë t’ju ndjekim live!

Koncerti im i radhës do të jetë në Shkodër, në vendin e rrënjëve të mia, në datën 9 gusht 2025, në “Dua Fest”. Ndërsa nga shtatori e në vazhdim do të jem në disa koncerte në kryeqytete të rëndësishme europiane. Kjo në vazhdim të strategjive dhe punës me “Sony Music”. Kontratën me këtë shtëpi diskografike e kam nënshkruar në vjeshtën e vitit që shkoi. Do isha shumë e lumtur t’ju shihja ju dhe publikun që më do dhe më mbështet në çdo koncert timin. Është vetëm fillimi, por ju premtoj, do t’ju ftoj e do t’ju dua po njësoj sa do kohë e vite të kalojnë.

Edhe një herë, shumë faleminderit nga zemra! Me pyetjet tuaja më bëtë të ëndërroj edhe më shumë! ❤️


Elbino ©️ Albanyac 07/2025




No comments

Note: Only a member of this blog may post a comment.

Powered by Blogger.