Armend Rexhepagiqi - Dashni e vjetër (Albumi)
Në vitin 1992 kur Armend Rexhepagiqi debutoi në skenën e Festivalit Shqiptar shoqëruar nga Aida Baraku dhe Hatixheja, ishte një ndër momentet më kulminante në historinë e këtij festivali. Teksa i njohur në Kosovë, në Shqipëri zor se e dinte njeri se po ngjitej në skenë një prej muzikantëve më të njohur të Kosovës. Dhe treshja kishte ardhur jo thjesht për të marrë pjesë, por për të sjellë një ndryshim tërësor në këtë festival. Muzika, veshja, performanca, teksti, koreografia — nuk kishte një element të këtij prezantimi që nuk i bëri njerëzit të flisnin për muaj me radhë. Një farë shokimi i merituar, por pozitiv, kjo performancë solli dhe një prej momenteve më të rëndësishme të pop-shqip.
E përmenda këtë, pasi ka vite që brezat e rinj të dëgjuesve, artistëve dhe gazetarëve… (ajo çka ka mbetur prej tyre dmth) kur përmenden këto figura të rëndësishme të muzikës sonë, harrojnë kontributin që ata kanë dhënë në muzikën tonë. Harrojnë që në një farë mënyre këta janë themeluesit e tregut muzikor shqiptar siç e njohim sot. Dhe kur Armend Rexhepagiqi publikon pas rreth 23 vjetësh një album me këngë të reja, shumica e medias online (se në letër, na! Asnjë s’ka mbet) jo se nuk ka shkruar, por të them të drejtën më mirë të mos kish shkruar fare. Se të mos marrin mundimin me shkrujt më shumë se tre rreshta për albumin e një prej kantautorëve më të mirë që kemi — dmth nuk di. Turp! Këta janë ata që ankohen pastaj për muzikën Instagramëve e programeve demode, më? Këta që pastaj thonë aaaaaa Armendi është ikonë e muzikës, por s’marrin mundimin me shkrujt dy rreshta?! WTF! Ju prishtë kompjuteri. Neve arti na ka mbajt gjallë ore, se politikës ja pamë hajrin. Tmerr 2x dmth. E morëm vesh e postuat në stories, oh ju muzikalisht jeni cool, intelektual dëgjoni muzikë artistike. Aha, varja! Kanë ik të gjithë për lesh.
Dashni e vjetër përbëhet nga shtatë këngë dhe është një krijim i Armend Rexhepagiqit dhe Aida Barakut, nën përkujdesjen e producentit Darko Dimitrov. Armendi rikthehet jo për t’ju përshtatur apo për t’i provuar ndonjë gjë brezit të ri, por për të vazhduar rrugëtimin e tij muzikor me të njëjtën cilësi e vlerë artistike si në “largimin” e fundit. Po ky album është dhe më shumë se kaq. Një farë mësimi për këto breza që kanë devijuar disi nga muzika si art dhe kanë kaluar më tepër tek muzika si biznes. Me një koncert live para pak muajsh dhe një tjetër në korrik, Armendi po ju tregon se kur bën muzikë jo sot për sot, por përgjithmonë dhe pas 20 vjetësh, publiku i këndon këngët e tua në kor. Me mikrofonin ndezur. Tregon në të njëjtën kohë, se nuk është dhe aq e vërtetë sa po reklamohet se “i japim publikut atë që do”. Ndoshta, bëje publikun që të dojë? A nuk duket më e udhës?
Dashni e vjetër sjell në 2025 copëza melodie që kanë përshkruar karrierën muzikore të Armendit në vite, të cilat e kanë bërë atë të veçohet nga kolegët e tij. Padyshim një vend të rëndësishëm zënë baladat “Boll m’ke dalë”, “S’o dashni” dhe e preferuara jonë “Dashni e vjetër”. Janë këngë të cilat në interpretimet live marrin shkëlqim tjetër. Nuk ka ndodhë asgjë e re/ vendin tand ende e ke/ jam dashnia vjetër/ që dikur t’ka nxe/... dmth… zëre se po shikojmë publikun në korrik duke e kënduar fjalë për fjalë.
E tani që Armendi solli këtë album të suksesshëm, sikur të nxirrte ndonjë këngë dhe Aida… Le të shpresojmë së paku në korrik të ngjitet dhe ajo në skenë me Armendin. Oh! Gjithashtu, Aida është në Instagram! Sapo ka hapur profilin dhe duket në top formë!

Post a Comment