Fest '63





Ka përfunduar edicioni i 63 i Festivalit të Këngës në RTSH ku fitues u shpall Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”. 



Në përgjithësi ky edicion ishte i realizuar shumë mirë. Po mendoj këtu, netët konkuruese, prezantimi, nata e poetëve etj.  



Prezantimi


Ornela Bregu dhe Enkel Demi përshtateshin shumë mirë me njëri - tjetrin dhe sollën një prezantim të mirë. Pa pompozitet, pa stërrlavdërime e me një skenar SHYQYR MË NË FUND, të thjeshtëzuar dhe jo të mërzitëshëm. Direkt e në temë. Çdo natë e festivalit është rreth 3 orë dhe fjalët e tepërta kanë qënë gjithmonë problem e në shumicën e kohës askush nuk i kushton vëmendje. Mendoj se në bashkëprezantim pikë së pari duhet të ndihesh rehat me njëri-tjetrin dhe kjo ishte pika më e fortë e suksesit të kësaj dysheje. Ftojini dhe vitin tjetër.


Skenografia


Super! Si në TV dhe në sallë. Mund të kishin bërë dhe pa ato detajet në sfond, por gjithsesi ishte e realizuar. Disku në tavan ishte një gjetje, e që unë e kam pa diku e kam pa, por s’jam tu ju fut atij muhabeti. Apo  e ngatërroj me atë diskun e tarracës së Tunelit haaaa. Oh…instalimi i Olafur Eliasson. Rëndësi ka që ishte një gjetje e veçantë dhe funksionoi. Sinqerisht shumë e bukur. 



Këngët 


U tha shumë herë sesa kishin “vuajtur” me proçesin e përzgjedhjes. Ju kishte marrë tre ditë dhe biles nuk e dinin se kush i këndonte. Tre ditë dhe përzgjodhët këto? Po sa keq paskan qënë ato të tjerat lol. Nuk njihnit zërat e këngëtarëve? Të kujt? Elvanës, Arditit, Malit, Orgesës? Lmao! Pse është kjo mani me justifiku çdo gjë? Ky është proçesi, këto na pëlqyen. Ne e vendosim. Kaq! Më tepër shpjegohen, më tepër krijojnë drama. Nuk shpjegon njeri në Grammy a në Sanremo, përse ne zgjodhëm këto këngë konkuruese, përse fituan këto këngë. Ky është konkurimi i dashur. Ke nënshkruar kontratë , nuk je dakord me vlersimet tona, vazhdo. Përse ndihen të gjithë fajtorë kot ma si koti, nuk kam për ta kuptuar ndonjëherë. Artistët tanë gjithashtu. Mëso të pranosh humbjen. Nuk është fundi botës. Ok, para 30 vjetësh se ky ishte i vetmi festival, por sot? U tha shpesh herë, që tekstet e këngëve ishin shumë të bukura, këngët ishin shumë të bukura. Nuk po thotë njeri që ishin të dobta, thjesht ishin demode. Qaj, lot, zemër, dhimbje, botë, pa ty, dashuri, jetë, gati në çdo tekst. Nuk ka nevoj me u bë teksti 10 strofka e me çdo varg hiperbola, shpirtëzime, krahasime etj. Diçka që u përfol shumë ishin fjalët e huaja në këngën e Elvanës. Së pari, fakti që u pranua nga organizatorët në konkurim dmth që është e lejueshme. Së dyti në rregulloren e Festivalit Neni13 pika 4a thuhet se kënga “duhet të jetë e kënduar në shqip…” Nuk ndalon përdorimin e fjalëve në gjuhë të huaj, siç ishte dhe freak show në tekstin e Mal. Ka pasur dhe raste të tjera si ‘Sagapo” e Nertila Kokës, The most important part of dance is music prej Adelinës apo Shpat Kasapi  (Aromë mediterane) etj. Personalisht jam kundra, por rregullorja e lejon. Kaq. Prapë tek Elvana…u tha se kënga është shumë e dëgjuar. Kënga ishte euro dance gërshetuar me ritme latine. Një zhanër më vete që pak a shumë vërtitet rreth të njëjtës formulë dhe është popullor çdo verë. Po të jetë puna për ngjasime, Shkodra Elektronike ngjason në fillim me Rosalia, Orgesa Zaimi ngjasonte në pjesë me Loard Of The Boards të Guano Apes, Vesa Smolica në sfond, ritmi kishte ngjashmëri me Hot Right Now të Rita Orës …eee jo për ti dalë në anë Elvanës, por nëse do drejtoni gishta, shkojini deri në fund muhabetit. 


Festivali prej dy dekadash ka një problem të madh. Organizatorët nuk dinë çfarë kërkojnë dhe si pasojë artistët konkurues janë më konfuz se kurrë. Nga një anë duan diçka artistike, por të jetë dhe për Eurovison, poooor ju mos hajdeni për Eurovision, poooor kënga të jetë intelektuale.  Duhet të jesh serioz, por sikur dhe të bëje show nuk do ishte keq. Në rregullore kërkohet që kënga të jetë intelektuale. Nuk e kam idenë çfarë dmth kjo hahahaha. Ja fjalë për fjalë:


Kompozimi muzikor i këngës konkurruese për pjesëmarrje në Festival duhet të jetë krijim artistik, intelektual dhe origjinal në të gjithë përmbajtjen e tij. Teksti i këngës konkurruese për pjesëmarrje në Festival duhet të jetë krijim intelektual origjinal në të gjithë përmbajtjen e tij.



Artistët nga ana tjetër dalin jashtë vetës duke u munduar të përshtaten njëkohësisht dhe për jurinë profesioniste për Festival dhe shijen e publikut për Eurovision. Si përfundim, një lëmsh. Se ja e fitove festivalin e do sjellësh diçka intelektuale, por çdo bësh pastaj në Eurovision ku fiton Netta me Toy sepse publiku europian thjesht do me u dëfry. Nuk i vë fajin dot askujt, por duhet gjetur një zgjidhje e mesme. Përndryshe, të mendohet thjesht për festival e mos të ketë asnjë lloj pritjeje nga Eurovisioni. Kur nuk egzistonte kjo mundësi, krijimtaria ka qënë me e lartë dhe psh. në vitet ’90 çdo edicion ka sjellë hite. Ishin vitet me këngë aq të bukura saqë artistë të njohur nuk dinin nëse do hynin në finale e jo më të pretendonin çmim. Sot, të gjithë janë të çorientuar. Kujt ti shërbejnë më parë? Jurisë së festivalit, publikut të festivalit, publikut shqiptar, publikut të diasporës apo publikut të Eurovisionit? 



Votimi


Hmmm… kjo është pjesa më dramatike e festivalit çdo vit. Personalisht në momentin që shpallet fituesi e kam thënë shpesh herë, çdo diskutim harrohet. U fitua dhe kaq. Kapitulli u mbyll. Po kjo çfarë do them tani nuk ka lidhje me fituesin, ka lidhje me trajtimin që po ju bëhet artistëve në festival. Mendoj se në momentin që u shpall se nuk do të kishte një çmim për Eurosong, Elvana duhej të ishte larguar nga gara. Nëse unë do isha menaxheri i saj këtë do i këshilloja. Elvana u duk qartë që erdhi me një këngë për Eurovision, e cila në Eurovision do kishte pasur sukses dhe do ishte renditur në Top10. E di që shumë njerëz do më dalin kundra në atë që thashë, por ju i shikoni si Mozart që jeni, unë i shikoj në aspektin e promovimit dhe biznesit muzikor e të tregut. Ja le të themi, do kishte fituar “Espresso” e  Sabrina Carpenter ndonjë çmim në festival? As në natën finale vallaj. E është një prej këngëve të vitit. Ky pra është ndryshimi festival-treg ndërkombëtar. Pastaj votimi sms (dmth në 2024 thonë sms, nona dmth), pastaj votimi diasporës, pastaj një matematikë…nona asgjë nuk mora vesh. As dy finalistët nuk e morën vesh, as prezantuesi nuk e mori vesh. Imagjinoni tani sikur Elvana të kishte 101 pikë dhe Shkodra elektronike 135. Dhe në sekondën e fundit Elvana të kishte marrë 42 pikë e të fitonte. Do kishit bërë namin. E bleuuu festivalin. E mori me të njohuuuur. Keni tërë kohës që e akuzoni për këto gjëra. Se ja pra nuk e paska “blerë”. As herën e parë e asaj kësaj here. Nuk fitoi. Po tani që nuk ju doli fjala çfarë? A nuk duhet ti kërkoni falje? Që më sjell tek pika tjetër. Përse një këngëtare e statusit të Elvanës mbas gjithë kësaj rrëmuje, duhet ti rikthehet festivalit? Duke parë këtë trajtim, përse këngëtarë të tjerë të statusit të Elvanës duhet ta marrin mundimin me ardh në festival? Mund të ishte shumë e thjeshtë. Juria dha 20 pikë. Publiku 20 pikë. Fiton Shkodra. Kaq. E gjithë kjo dramë turpëruese. Ah, është e rastësishme? Awww! Ok! Marrim një tjetër rast. Dy vjetë që konkuroi Elsa Lila, u krijua çmimi i Eurosong. Qartazi dihej që Elsa me vokalin e saj do merrte çmim të parë, por ndoshta nuk ka qënë qëllimi, ama u duk sikur nuk donin ta çonin në Eurosong. Arsyet nuk i di, po nuk do shkencë. Ja, po të konkuroj vitin tjetër kur ta kthejnë prapë si çmim hahahhahaa. Ky është problemi. Nuk është problemi se nuk fiton, është problemi sesi ta sërvirin humbjen. Sesi të sërvirin tek publiku. Të shndërrojnë në “villain”. E pse duhet me marrë pjesë? Vërtetë e përmenda Elvanën disa herë, e jo paqëllim. Ishte arsyeja që shumë prej jush e ndoqët festivalin. Ishte i vetmi emër Big nga tregu muzikor i momentit në festival dhe të paktën vetëm për këto arsye duhej të kishit treguar pak më shumë respekt.


Fituesit


Suksese Shkodra Elektronike. Një fitore e merituar. Besoj se do jenë ndër më të veçantit në Eurovision dhe do kenë si mbështetjen e jurisë profesionale dhe atë të publikut. Kanë nevojë për një promovim dhe një video të mirë. Teksti i këngës është gjithashtu mjaft aktual me vargje për paqe dhe mbrojtjen e natyrës, çështje kaq të prekura sot në shoqëri. Një ndër pikat më të forta të tyret është prezenca skenike. Beatriçe ka një prezencë të fuqishme në skenë, ajo e zotëron atë. Kjo  është shumë e rëndësishme në interpretimet live dhe natën gjysëmfinale, një zotësi që pak artistë e kanë. Padyshim një ndër përfaqsimet më të mira të Shqipërisë në Eurovision. Suksese! 




No comments

Note: Only a member of this blog may post a comment.

Powered by Blogger.