Svea Wedis - Një shqiptare në Korenë e Jugut - Intervistë
Svea Wedis është një artiste e re me origjinë shqiptare (nga ana e mamasë) e cila ka filluar të krijoj emër në suksesin më të fundit të tregut kinematografik korean; Mini serialet. Të hedhura si ide në treg vite më parë, falë rrjeteve shoqërore këto mini seriale kanë krijuar grupin e tyre të fansave dhe fitojnë popullaritet më të madh nga dita në ditë. Ato shërbejnë si një hap drejt serialeve televizive apo filmave me metrazh të gjatë duke parashikuar dhe suksesin e ardhshëm të Sveas. Vetë Svea është impresionuese. Pavarsisht se e lindur jashtë vendit, ajo e flet dhe shkruan shumë mirë shqipen dhe e gjithë kjo intervistë u zhvillua në shqip. Siç do mësoni dhe përgjatë intervistës, ajo ka dhe një karrierë përtej kinemasë, por këtë vit vjen me disa projekte, midis të cilave dhe publikimi i një EP.
ELBINO: Svea, përshëndetje! Mendoj ta fillojmë intervistën me një prezantim të shkurtër rreth personit dhe karrierës suaj…
SVEA WEDIS: Përshëndetje dhe faleminderit shumë për ftesën! Quhem Svea Wedis, punoj si aktore dhe modele, me prejardhje gjysmë shqiptare, gjysmë gjermane, e lindur dhe rritur në Gjermani. Aktualisht jetoj në Korenë e Jugut, ku jam aktive në industrinë e filmit, muzikës dhe reklamës. Njerëzit më përshkruajnë shpesh si një kameleon – në kuptimin pozitiv – si në jetën profesionale, ashtu edhe personale, sepse jam një person që përshtatem kudo që jam dhe ambientohem shumë shpejt. Kam nisur karrierën time në Gjermani, më pas kam pasur mundësi të punoj edhe në Amerikë, përpara se të zhvendosesha në Kore për të eksploruar mundësi të reja krijuese.
Ju e flisni shqipen shumë mirë, komplimente! E keni mësuar nga mamaja, dmth e flisnit në shtëpi apo keni marrë kurse gjuhe?
Faleminderit shumë! Po, shqipen e kam mësuar nga mamaja. Dhe babai im, që është gjerman, e flet shqipen rrjedhshëm gjithashtu. Në shtëpi e kemi folur gjithmonë. Kemi pasur edhe disa libra në shqip. Për mamin tim ishte shumë e rëndësishme që ta mësoja. Gjuha shqipe më ka lehtësuar edhe mësimin e gjuhëve të tjera! Kisha Abetaren dhe libra të tjerë për fëmijë. Më vonë lexova edhe Harry Potter në shqip. Më ka ndihmuar shumë edhe fakti që kam udhëtuar shpesh në Shqipëri dhe kam jetuar për tre muaj në Tiranë për t’u afruar me rrënjët e mia, por edhe që të flisja me gjyshen dhe pjesën tjetër të familjes në Shqipëri. Edhe pse jam rritur jashtë, gjithmonë kam dashur ta ruaj gjuhën dhe lidhjen me kulturën shqiptare.
Fillimet tuaja i keni pasur në Gjermani, ku keni qenë pjesë edhe në videokëngën e një tjetër bashkëpatrioti, Ardian Bujupit. Si ndodhi? Ishte thjesht një casting normal apo kishit lidhje miqësore?
Ishte një kombinim fati dhe rrjeti profesional. Ishte shumë bukur që projekti im i parë në një videoklip ishte me një artist që flet shqip – një eksperiencë e veçantë dhe frymëzuese për fillimet e mia.
![]() |
Foto: @bulldog.snap |
Duke qenë se ju jeni edhe këngëtare, a keni publikuar ndonjë këngë apo e keni plan për të ardhmen?
Së shpejti do të dalë një këngë e një artisti K-pop ku dëgjohen vokalet e mia në prapaskenë. Kam disa këngë që i kam shkruar dhe regjistruar për vete, por nuk i kam publikuar ende seriozisht. Muzika është shumë personale për mua, ndaj dua që, kur të vijë momenti i duhur, ta ndaj me publikun me gjithë shpirt. Po planifikoj të nxjerr një EP këtë vit – shpresoj të jetë diçka për t’u pritur!
Më pas ju jeni shpërngulur në Amerikë. Tregu artistik atje është shumë konkurrues. Si ishte eksperienca juaj?
Në Amerikë kam punuar kryesisht si mësuese, por njëkohësisht kam qenë pjesë e videoklipeve, filmave të shkurtër dhe modelimit. Aty fillova të besoj se mund të jetoja realisht nga kjo fushë. Ishte një shkollë më vete. Më mësoi për disiplinën, përballjen me refuzimin dhe nevojën për të ndërtuar zërin tënd në një treg të madh. Edhe pse e vështirë, ishte një periudhë që më ndihmoi shumë si artiste.
Dhe … u zhvendosët në Korenë e Jugut. Ishte e planifikuar apo e rastësishme kjo lëvizje në jetën dhe karrierën tuaj?
Ndërkohë që jetoja në Amerikë, ndodhi pandemia. Gjithmonë më ka tërhequr kinemaja ndërkombëtare dhe rastësisht nisa të shihja një dramë koreane, pastaj u futa në botën e saj. E pashë që herë pas here kishte edhe të huaj që merrnin pjesë, dhe mendova: pse jo edhe unë? Kur erdha në Kore, ndjeva menjëherë që ishte vendi im, si personalisht ashtu edhe profesionalisht. M’u duk sikur më pranoi ashtu siç jam dhe, për herë të parë, mund të ëndërroja seriozisht për një të ardhme në botën e artit. Që e vogël ëndërroja të performoja në skenë duke dëgjuar muzikë me MP3-në time, dhe sot kjo ndodh në mënyrë natyrale këtu. Jam shumë e lumtur.
Jetesa në një vend të huaj është gjithmonë një farë sfide. Si jeni përshtatur në Korenë e Jugut? Me gjuhën, kulturën, ushqimin dhe, mbi të gjitha, karrierën?
Të jetosh në një kulturë kaq ndryshe është një eksperiencë unike. Koreja ka sfidat e saj, por ka edhe një energji të veçantë që më ka motivuar të rritem. Gjuhën e kam mësuar me kohë dhe aktualisht jam në nivel të mesëm. Kultura është e pasur dhe ushqimi më përshtatet shumë. Më kujton në disa aspekte Shqipërinë – prindërit e mi, kur erdhën për vizitë, u ndjenë si në shtëpi. Dhe për mua, Koreja është bërë shtëpia ime. Karriera u zhvillua natyrshëm, sepse koreanët janë shumë pasionantë dhe të përkushtuar ndaj artit. Kam pasur fatin të krijoj një rrjet të fortë me miq e bashkëpunëtorë që më kanë mbështetur shumë.
Në Tiranë, po aq e çuditshme sa tingëllon, ka një komunitet korean. Po në Korenë e Jugut, a keni pasur rastin të takoheni me shqiptarë? A ka artistë të tjerë shqiptarë që aktivizohen në tregun artistik atje?
Fatkeqësisht nuk kam takuar ende ndonjë shqiptar tjetër këtu. Por ndoshta kjo e bën edhe më interesante. Edhe pse jam vetëm gjysmë shqiptare, shpresoj që përfaqësoj mirë vendin e nënës sime. Gjithmonë e them me krenari prej nga vij.
Nuk mund të përmendet Korea dhe të mos flasim pak për K-Pop! Në Amerikë çmenden për ta. Janë kudo dhe kanë një grup fansash të “çmendur”. Cilët janë të preferuarit tuaj?
K-Pop është një fenomen botëror me ndikim të madh. Më pëlqejnë grupe si Seventeen, BTS, New Jeans dhe Le Sserafim. Por përveç tyre, ka artistë të mrekullueshëm si Lee Young Ji dhe Zion T. Më pëlqen të zbuloj artistë të rinj e më pak të njohur, sepse kam pasion për të mbledhur muzikë nga stile të ndryshme. Së fundmi, kam nisur edhe të DJ-oj pak – thjesht për qejf!
Cilat ishin disa prej punëve të para dhe disa prej punëve më të rëndësishme që keni bërë në Korenë e Jugut?
Punët e para kanë qenë reklama dhe projekte të vogla. Më pas kam marrë pjesë në drama koreane dhe projekte ndërkombëtare. Një prej tyre ishte seriali Queen of Tears. Kam qenë aktore kryesore në shumë drama të shkurtra që janë shumë të popullarizuara aktualisht dhe që synojnë tregun amerikan. Ka edhe disa projekte që ende nuk janë publikuar, ndaj nuk mund të flas shumë për to, por mezi po pres t’i ndaj me publikun.
![]() |
Foto: Georgia Foley |
Me popullarizimin e telenovelave koreane në mbarë botën, ka vite që vëmendja është përqendruar nga Lindja. Si është tregu kinematografik atje?
Ajo që më tërhoqi fillimisht ishte mënyra si ndërtohet romanca – shumë graduale dhe emocionale, që të lejon ta përjetosh në mënyrë më të thellë. Fakti që shumica e serive kanë vetëm një sezon i jep freski tregut dhe të lejon të eksplorosh tema të ndryshme pa angazhime afatgjata si shikues. Kinemaja koreane është bërë shumë e avancuar dhe ka fituar vëmendje ndërkombëtare me projekte me cilësi të lartë. Ka krijuar shumë hapësira për artistët që duan të tregojnë histori më të thella.
Ju tashmë jeni protagoniste në disa seriale në aplikacione si ReelShort. Si ju bën të ndiheni ky sukses?
Jam shumë mirënjohëse që kam mundësinë të jem pjesë e këtyre projekteve. Çdo rol është një hap përpara dhe më ndihmon të rritem si aktore. Ky sukses është rezultat i shumë mundimeve dhe përpjekjeve. Shpresoj të kem gjithmonë më shumë mundësi dhe jam shumë falënderuese për çdo hap të këtij udhëtimi.
Ju folët pak më parë që keni vizituar disa herë Shqipërinë. Si ju është dukur?
Po, kam qenë disa herë. Më parë shkoja çdo vit. Kur banoja për tre muaj në Tiranë, bëra një praktikë në Universitetin e Biologjisë dhe udhëtova në disa vende të Shqipërisë që nuk i kisha parë më parë. Kur njerëzit më pyesin për destinacione udhëtimi në Evropë, gjithmonë përmend Shqipërinë. Kam një lidhje shumë të veçantë me vendin dhe gjithmonë kthehem me zemër plot.
![]() |
Foto: Georgia Foley |
Vitët e fundit në Shqipëri dhe Kosovë, prodhimet kinematografike janë shtuar në numër. A do të dëshironit të interpretonit edhe në ndonjë film shqiptar nëse ju jepet mundësia? A keni pasur ndonjë ofertë?
Patjetër që do të doja. Kam shumë respekt për kinemanë shqiptare dhe mendoj që ka shumë histori të fuqishme që ia vlen të tregohen. Deri tani nuk kam marrë ndonjë ofertë, por jam e hapur për çdo mundësi. Do isha shumë e emocionuar të isha pjesë e një produksioni në Shqipëri ose Kosovë, qoftë në TV apo muzikë. Nëse mund ta lidh pasionin për artin me rrënjët e mia, do të ishte fantastike.
Në mbyllje të kësaj interviste, duke ju uruar gjithmonë sukses: cilat janë projektet tuaja për këtë vit?
Kam disa projekte emocionuese në zhvillim – disa ndërkombëtare që përfshijnë muzikë, filma dhe drama të reja. Ndihem shumë entuziaste për atë që po vjen dhe mezi pres t’i ndaj me publikun. Shpresoj që njerëzit të më ndjekin në këtë rrugëtim. Faleminderit shumë për bisedën!
©albanyac 04.2025
Post a Comment