Shnet’ TV! Tung YouTube!
Para disa javësh ne postuam një shkrim në lidhje me programet televizive, duke i paralajmëruar që janë në një gjëndje kritike. Shumë prej programeve nuk i përgjigjen publikut dhe më tepër ndiqen nga shqiptarët në diasporë dhe grupmoshat e mëdhaja, ndërkohë që grupmoshat e reja nuk e kanë idenë se çfarë programesh serviren në tv. Kjo gjë sjell një problem për tv shqiptare të cilat po “humbasin” shikuesin e ardhshëm dhe shumë shpejt do të ndjejnë ndikimin e platformave transmetuese vizive si Netflix, Amazon, Apple+ etj. E ndoshta, nëse mund të ketë ende kohë për tu ndjerë ky ndikim ose për tu marrë masa parandaluese…ju ka lindur një jetër problem. Tung YouTube!
Prej vitesh, por më së shumti në këto dy vitet e fundit, shumë programe televizive mund të ndiqen dhe në YouTube. Kjo nuk është ndonjë gjë e re dhe mëse normale, ajo çka ka ndryshuar është se shumë talente tashmë kanë marrë në dorë prodhimin e programeve të tyre dhe kanë filluar ti transmetojnë në YouTube. Pa kaluar në 101 takime, faza aprovimi, zhgënjimesh, ata kanë marrë fatin e tyre në dorë dhe kanë gjetur sukses. Mbi të gjitha, kanë të drejtën dhe lirinë e shpalosjes së ideve të tyre pa u detyruar të bëjnë kompromisa.
Fillimi i transmetimit të disa podkasteve në YouTube, u duk si diçka normale, trend i momentit që po ndodh në mbarë botën. Papritur emra të njohur si Edi Rama, Alketa Vejsiu ju shtuan listës së podkasteve. Në të njëjtën kohë podkaste të tjerë si Albanian YouTubers apo Trime filluan të bëjnë emër. Pas podkasteve, profile me seriale web dhe programe specifike po reklamohen përherë e më shumë. Dua, është një program “takimesh” ku të rinj të panjohur “dalin” në takim me njëri-tjetrin dhe përzgjedhin të preferuarin. Videoja e fundit ka arritur 71.000 klikime. Jo keq për një program të pareklamuar. Vetë televizionet e kanë vënë re këtë dukuri. Përshembull, Vizion+ transmetoi drejtpërdrejtë premierën e “Albania’s Got Talent” në YouTube. Nuk kanë mbetur pas as figurat e njohura të televizioneve. Dalina Buzi ka sjellë një platformë të tërë programesh në YouTube të njohur si ANDALE. Intervista, podkaste sportive, lajme, lojra, gatime, gati - gati një format të plotë ditor televiziv nga një grup i rinjsh të cilët nuk mund ta gjejnë dot një hapsirë të tillë në televizionet kombëtare. Mira Kazhani çdo javë sjell intervista me personalitete shqiptare, duke u shndërruar në programin më interesant dhe serioz në llojin e tij. Javën e shkuar Arbana Osmani solli “Mirëmbrëma Yje” duke akumuluar mbi 1.3 milion shikues. Një numër rekord për transmetime të këtij lloji në nivele ndërkombëtare e një shifer ekstraterriale për vende si Shqipëria. Nëse kuptohet diçka nga suksesi i Arbanës, është që e ardhmja e programeve shqiptare mund të jetë në YouTube. Një program i realizuar shumë mirë dhe duke ju përgjigjur publikut, por dhe duke e “drejtuar” atë në shijet e duhura televizive, garanton sukses. E jemi të sigurtë që në 2024, shumë personazhe të njohur televiziv do i shohim me programet e tyre në YouTube. Ashtu siç gazetarët lanë pas gazetat e filluan portalet, apo këngëtarët që lanë pas kanalet muzikore dhe publikuan këngët e tyre në YouTube, e njëjta gjë ka për të ndodhur dhe me drejtuesit televiziv. E nëse suksesi në shikueshmëri do të përkthehet dhe në sukses ekonomik? Shnet’ TV e Tung Youtube!
Post a Comment