Cilat kanë qënë videokëngët më të shikuara një dekadë më parë?



Në Shqipe është bërë mëse normale që secili të vendosë statistikat e tij, pa u bazuar në asnjë fakt të vërtetë. Të gjithë janë “numri një”, “më të mirët”, “më të suksesshmit”, etj, etj.

Tani që as revistat dhe gazetat nuk ekzistojnë më, dhe portalet shkruajnë veç për sherre e lidhje dashurie, verifikimi i fakteve është bërë edhe më i vështirë.
Nuk mund të mohosh suksesin e artistëve të sotëm, por as ata nuk mund të pretendojnë se kanë qenë “të parët” në çdo gjë.

Tregu muzikor shqiptar pati një hov shumë të madh në fillim të viteve 2000, që ishte dhe momenti kur u krijua një lloj industrie muzikore vendase dhe një farë themeli artistik për atë çka do të pasonte në vitet e ardhshme.

Por cilat kanë qenë videoklipet më të shikuara një dekadë më parë? Kush ishin artistët më të ndjekur?
Mund t’i keni harruar, por… ja kush ishin rekordthyesit e parë:

Në Shqipëri nuk ka pasur dhe vazhdon të mos ketë një agjenci që raporton mbi shit-blerjen, klasifikimin apo suksesin monetar të prodhimeve muzikore vendase. Për këtë arsye, platforma si YouTube e Spotify kanë qenë dhe mbeten një “konfirmues” i suksesit të një artisti në treg.




YouTube, i formuar në 2005, filloi të përdorej në masë disa vite më vonë edhe në Shqipëri — jo për arsye monetare si sot, por si një mundësi për të promovuar muzikën në diasporë dhe për t’u bërë sfidë televizioneve.
Si pasojë, shumë shpejt YouTube u shndërrua në platformën kryesore të promovimit, ku shumë videokëngë kishin premierën aty, duke shmangur televizionet.

Ky sukses filloi të përkthehej në numra, të cilët shërbyen si një lloj verifikimi për suksesin e artistëve. Rreth vitit 2010, videokëngët shqiptare jo vetëm që filluan të kishin sukses, por edhe po shënonin milionat e para në ndjekshmëri.

Një nga këngët e para më të ndjekura në YouTube ka qenë një këngë e Medës (jo video zyrtare) me rreth 30 milionëshikime, e cila tani nuk ekziston më në platformë (fshirë pas rrëmujës me të drejtat e autorit nga disa kompani vendase).
Ai është pasuar nga Rovena Stefa me këngën Mall, me mbi 23 milionë shikime (dy video të publikuara në dy kanale të ndryshme — 16M dhe 7M. Videoja origjinale me këto shifra është fshirë dhe pastaj ripostuar).

Sinan Hoxha dhe Seldi dominuan platformën për disa vite, me këngë si Kuq e Zi dhe Adrenalina që akumulonin 8.8M dhe 9.3M shikime.
Genta Ismajli me Pranoje (jo video zyrtare) ka pasur gjithashtu një video me rreth 10M shikime.
Lista vazhdonte me Flori Mumajesi, Aurela Gaçe, Tuna, Dafina Zeqiri, Tingulli 3nt, 2Po2, Elvana Gjata, Adelina Ismaili, Ermal Fejzullahu, Mimoza Shkodra dhe Nora Istrefi. Shifrat e videove të tyre lëviznin nga disa miliona deri në 10M.




Pra, për ata që çuditen se si videoklipet e artistëve sot marrin miliona shikime — kjo nuk është ndonjë gjë e re.
Dhe për ata që pretendojnë se kanë qenë “të parët”, ndoshta është mirë t’i rishikojnë edhe një herë faktet. Sepse nuk është e vërtetë.

Sot shumë këngëtarë mund të pretendojnë se çdo videoklip i tyre merr 10-20 milionë klikime — por nëse llogarit që një dekadë më parë, YouTube nuk ishte kaq popullor, rrjetet sociale ishin thuajse inekzistente dhe televizionet ishin platformat kryesore muzikore… meh, nuk keni lëvizur dhe aq shumë jo.

Powered by Blogger.