A ka më njeri mbiemra?
Një dukuri e çuditshme po ndodh kohët e fundit në tregun muzikor shqiptar. Artistët nuk kanë më mbiemra.
Pavarësisht zgjedhjeve dhe preferencave artistike e personale, problemi nuk është nëse ndryshon apo zgjedh një emër. Problemi është nëse ky emër është në funksion të profilit artistik. Çfarë do të thotë kjo? Nëse vite më parë promovimi dhe aktiviteti muzikor ishin në duart e televizioneve, mediave të shkruara e shtëpive diskografike, gjërat sot janë më ndryshe. Artistët e rinj, më së shumti, aktivizohen online, të përqendruar në platformat online dhe rrjetet sociale. Janë këto “vendet” e para ku krijojnë fansat e tyre të parë.
Kjo bën që të jenë të varur nga kërkimet dhe rekomandimet në këto platforma. E nëse emri yt është një emër popullor, që do të thotë se e kanë shumë njerëz, atëherë algoritmet e faqeve dhe sistemet e kërkimeve, në qoftë se nuk je shumë specifik, nuk japin rekomandime ose nxjerrin një sërë informacionesh që nuk kanë lidhje me këngëtarin në fjalë. Në shumë raste, edhe kur ke emrin ekzakt, për faktin që tani kanë filluar të emërtohen edhe me hieroglife, as në Instagram nuk i gjen dot, pasi ndryshe është emri artistik e ndryshe emri i regjistruar i profilit. Si përfundim, një lëmsh.
Teknologjia ka shumë të mira, por nuk është aq e thjeshtë me e përdorur, pavarësisht se këtë vetë-ekspertizmin e kemi pak të tepruar si popull. Kjo gjë bëhet e komplikuar në Shqipëri, ku ti merr maksimumin e informacionit shqiptar, sepse rezultatet që merr bazohen sipas vendndodhjes. Imagjino për fansat që jetojnë jashtë, të cilët kanë rezultate të bazuara në popullsi me dhjetëra milionëshe? Eh, kështu.
Sigurisht, shumë shpresojnë që prodhimet e tyre të bëhen virale, apo të rekomandohen në bazë të algoritmit… hmm. Nope. YouTube, për shembull, është komplet rrëmujë sot për sot. Kërkimet e tyre janë skandal dhe rekomandimet, si ka qenë ajo shprehja? “Era do fryjë nga t’i doj qejfi.” Spotify, pak a shumë, njësoj.
Përzgjedhja e emrit artistik është më shumë se një emër. Përcakton një profil të tërë dhe është një “fjalë kyçe” në zhvillimin e biznesit muzikor të një artisti. Mënyra sesi këto platforma po ndryshojnë vitet e fundit duhet t’i bëjë artistët (sidomos të rinjtë) të kuptojnë se gjërat po rikthehen në “vitin zero”. Nuk do ketë më lehtësira në promovime. Varësia nga shtëpitë diskografike do kalojë te platformat digjitale, e nuk do mjaftojë më vetëm një postim në rrjete sociale për të promovuar veten dhe muzikën. Artistët duhet të fillojnë ta ndërtojnë në detaje dhe ta ruajnë identitetin e tyre që në ditën e parë të karrierës. Filluar me emrin… dhe mbiemrin.

Post a Comment