HAWOLF - Grupi më i mirë rrok i 2025

 






Që prej vitit 1960, kur Pete Townshend (The Who) deklaroi se “Rock is dead (Long live rock!)”, ky zhanër muzikor ka pasur pothuajse luhatjet dhe ndryshimet më të mëdha artistike se çdo zhanër tjetër muzikor. Një shprehje që u përdor nga shumë artistë të tjerë për të paralajmëruar fundin e një “periudhe”, vetëm për të vrojtuar sesi, ironikisht, në të njëjtën kohë, një tjetër grup artistësh do të korrnin sukses dhe ta rikthenin rrokun në pedestalin muzikor.

E njëjta histori është përsëritur edhe në Shqipëri. Zhanri më i suksesshëm gjatë viteve ’90, rock do të vazhdonte të mbizotëronte tregun muzikor shqiptar deri në fillim të viteve 2000, për t’i lënë më pas vendin popit dhe hip-hopit. Megjithatë, skena e rockut në Shqipëri vazhdon të jetë e fortë, edhe pse në pamje të parë nuk duket kështu. Në performancat live, rocku është gjinia muzikore më aktive dhe më e preferuar. I vetmi zhanër që ka një festival të vetin dhe pub-e specifikisht për këtë muzikë.

Niki Zaimi & Band, Rubin Kaso, Urband, Renis Gjoka, Spaska, Burn, Bojken Lako, Bluebird, Jericho, Real Strings, Rool, Alban Nimani, Pathogen etj. janë disa nga emrat që vazhdojnë ta mbajnë lart skenën e rockut, i cili po përjeton një rilindje në skenat e dy kryeqyteteve. Një prej emrave më të spikatur këtë vit ka qenë edhe Hawolf.

Grupi, i formuar prej katër vëllezërve Havolli, jo vetëm që u vendos në rresht të parë të rockut këtë vit, por dalëngadalë po bëhet i njohur edhe për një publik më të gjerë. Kanë publikuar këtë vit katër videokëngë (një rekord për grupet shqiptare rock), performuan në Sunny Hill, dhe kanë gati për publikim albumin e ri “Rrënjët e Andrrave”. Kënga e tyre e fundit, “Mendoj pa kry”, ishte një prej këngëve tona më të preferuara të 2025, dhe Hawolf definitivisht e meritonte zgjedhjen tonë si grupi rock më i mirë i vitit në Shqipëri.

 


ELBINO: Hawolf… çfarë kuptimi ka emri i grupit tuaj?

 

HAWOLF: Emri i grupit vjen si një lojë fjalësh midis mbiemrit tonë, Havolli, dhe artistit tonë të preferuar, Howlin’ Wolf.

 

Veçantia e Hawolf ka të bëjë edhe me faktin që jeni katër vëllezër… kur dhe si u krijua grupi? E kujt ishte ideja, apo lindi natyrshëm, falë faktit që të gjithë merreni me muzikë dhe …pse jo?


Ne të gjithë jemi rritur me një hapësirë ku muzika ka qenë prezente 24/7. Të gjithë kemi pasur banda të ndryshme me shoqëri apo çkado. Ideja për të bërë muzikë bashkë ka qenë e Lumi. Gjatë kohës së pandemisë, kur ishim më shumë kohë të lirë dhe të ngujuar, Lumi sugjeroi të regjistrojmë një këngë, dhe ja ku jemi tash.

 

Albumi debutues “Ear for Peace” u publikua në vitin 2022, por ju keni rreth dy dekada që merreni me muzikë. Cilat kanë qenë disa nga momentet më të rëndësishme të karrierës suaj muzikore deri në realizimin e këtij albumi?


Me muzikë merremi prej shumë kohësh. Momente ka aq shumë sa do të duhej një rubrikë e veçantë për to, por mund t’i ndajmë ndonjë herë tjetër...

 





Ky album ishte i tëri në anglisht. Ishte zgjedhje e thjeshtë apo një tentativë për një prezantim në tregun ndërkombëtar?


Albumi “Ear For Peace” është në anglisht si rezultat i llojit të muzikës që jemi mësuar ta dëgjojmë dhe kishte më shumë sens të shkruhej në anglisht atë kohë.

 

  

Nga albumi më pëlqen shumë “Maze”.

/I suffered too much from your sins / all this aggression comes from within / phew… / sooner or later all will be lost / I won’t be the rebel to die without a cause/

Këto vargje janë shumë domethënëse dhe të drejtpërdrejta. Kush i shkruan tekstet e këngëve në grup?Kush i shkruan tekstet e këngëve në grup?


Tekstet shkruhen kryesisht së bashku, por pjesën që ke cekur e ka shkruar Graniti.  

Kjo strofë e permban mesazhin e një personi që traumën që e ka perjetuar në rini, e percjell ende edhe në moshë madhore, por tek fundi i strofës është një rikthim në pozitivitet. Pavarsisht asaj traume, personi në fjalë punon me veten dhe thotë që “I won’t be the rebel to die without a cause” dmth e shërben traumën për ta kthyer nëdiçka pozitive dhe të ketë qëllim që të lej shenja pozitive të ndonjë kauze.

 

E keni të lehtë procesin e krijimit në grup? A e ka vëllai i madh fjalën e fundit, haaaaa, apo secili ka vendin e vet në proces?


Procesi dallon nga kënga në këngë. Dikush është më i mirë në kompozim, dikush në tekste, dikush në aranzhim, dikush në vizionin e videoklipeve, etj. Andaj nuk është e vështirë se seicili prej nesh pak a shumë i kemi shkathtësitë që I zotërojmë dhe i ndajmë përgjegjsitë shumë mirë.

 



Bëj shaka se dukeni shumë chill si grup, por më krijohet përshtypja sikur Graniti anon më tepër nga alternative dhe grunge, ndërsa ju të tjerët nga metali / hard rock. Në këtë sens, desha të dija se si i merrni vendimet për këngët që do të publikoni në të ardhmen?


Komunikimin e kemi të rëndësishëm ndërmjet vetes, ajo është arsyeja që dhe jemi chill. Pa marrë parasysh ndoshta në pamje apo ku ta di, në përgjithësi të gjithë kemi qejf të gjitha llojet e muzikës, nuk jemi stoik në një zhanër. E ceka dhe më lart, jemi fansa të mëdhej të Howlin’ Wolf. Ai nuk është as grunge e as metal hahahaha!

 

Këtë vit grupi juaj ka qenë më aktiv dhe keni rënë më shumë në sy. Përveç publikimit të disa këngëve, u shfaqët edhe në Sunny Hill Music Festival. Si ndiheni në këtë “anë” tjetër të biznesit muzikor?


Ky vit që po e lemë pas ka qenë një vit i suksesshëm për ne, po arsyeja numër një është puna që e kemi bërë. Jo rastësisht kanë ndodhur këto suksese që i kemi patur këtë vit. Në Sunny Hill ka qenë një nder i madh për ne të performojmë, duke e ditur se çfarë kapaciteti të publikës ka aty, që ishte e rëndësishme për ne të ekspozohemi në audience të re. Dhe për sa i përket organizimit të festivalit dhe profesionalitetit, nuk ka ku shkon më mirë dhe jemi krenarë që kemi mundur të depërtojmë në këtë pjesë të skenës.

 

Ndërkohë, jeni duke punuar për publikimin e një albumi të ri, që mesa di titullohet “Rrënjët e Andrrave”. Kur do të publikohet albumi, sa këngë do të jenë në të dhe sa i ndryshëm do të jetë nga i pari?

 

Albumi është regjistruar i tëri vitin që po e lëmë pas. Janë miksuar dhe masteruar nga Barrett Jones, i njohur që ka punuar me grupe si Foo Fighters, Pearl Jam, Melvins, Nirvana etj. Albumin kemi vendosur që ta lançojmë gradualisht, duke publikuar nga një këngë çdo disa muaj, për arsye se jemi duke punuar edhe në klipe për secilën prej tyre. Gjithsej janë 7 këngë.

 





Jam i fiksuar pas “Mendoj pa kry”. A është kjo këngë pjesë e albumit dhe a do të kemi edhe këngë të tjera me këtë tingull në album?

 

Na vjen mirë që e keni fiksim hahaha! Edhe kjo është pjesë e albumit. Nuk ka kësi lloj këngë tjetër në album. Nëse i dëgjoni publikimet që i kemi nxjerrë prej këtij albumi deri tash, secila këngë dallon prej tjetrës. Jemi munduar që të eksplorojmë zhanre, e mënyra sesi shkruajmë, por të jenë në stilin Hawolf.

 

Si e shikoni skenën e rock-ut në Shqipëri dhe Kosovë? Cilat grupe ose këngëtarë do donit të veçonit?

 

Skenat tona janë goxha të pasura, mendoj që vetëm na duhet më shumë ekspozim në media që të rriten. Banda ka shumë, nuk kisha pasur dëshirë t’i cek, për shkak se më vonë mund ta kujtoj dikë që kam harruar, e nuk më nxjen gjumi natën :P

 

Nëse do t’ju jepej rasti të shkonit në turne si opening act i një grupi të njohur, cili do të ishte ai?

 

Oasis dhe Turnsile.

 

Po koncerti juaj I radhës, ku do të jetë? Ndonjë shfaqje në Tiranë?

 

Për momentin nuk kemi diçka konkrete. Sa i përket Tiranës, mezi presim që të marrim ndonjë ftesë të vijmë dhe të performojmë. Jemi në pritje ende….

 

Duke shpresuar t’ju shohim live së shpejti, ju urojmë suksese në albumin e ri dhe rock the 2026! 🤘

 

Faleminderit juve për përkrahjen dhe kohën e mundësinë që e keni ndarë për ne.

 

Elbino © Albanyac 12.2025





 

Powered by Blogger.