Kush është Dujanen?





Në biznesin muzikor gjërat kanë qenë për një kohë të gjatë disi më të thjeshtëzuara. Artist–shtëpi diskografike–radio–TV–koncerte. Publikut iu servirej çfarë dhe kë duhet të dëgjonin. Pas krijimit të Napster dhe në vazhdimësi me platformat sociale, gjithçka ka ndryshuar në mënyrë drastike. E në vend që ta përkrahnin e ta përvetësonin këtë ndryshim, shtëpitë diskografike u munduan dhe vazhdojnë ta luftojnë, por pa sukses. Është një botë e re, ku artisti mbizotëron. Sigurisht, nevoja e shtëpive diskografike mbetet, por nuk është parësore.

Me teknologjinë në favor, artistët po gjejnë platformën e tyre, audiencën e tyre dhe si përfundim suksesin. I tillë është edhe rasti i Dujanen. Ndoshta dy dekada më parë, ne nuk do të kishim rastisur të dëgjonim këngët e tij, por falë Spotify nuk kemi pushuar së dëgjuari “Love Hurts” që nga momenti që shtypëm play. Këngët e tij tashmë janë virale në TikTok, duke përforcuar edhe një herë atë që e kemi thënë shpesh: artistë të rinj dhe të talentuar në shqip ka plot, por në vend që të ankoheni, duhet t’i mbështesni ata.

“Love Hurts” është një prej albumeve më të veçanta dhe më të mira që kemi dëgjuar në një kohë të gjatë dhe Dujanen një talent i ri që meriton vëmendjen e të gjithëve.





Përshëndetje Dujanen!
Urime për albumin e ri “Love Hurts”, jemi duke e dëgjuar non stop dhe po na pëlqen shumë. Me kë keni bashkëpunuar dhe çfarë mund të na tregoni diçka të veçantë rreth krijimit të këtij projekti?

Përshëndetje, faleminderit shumë! Albumi “Love Hurts” ka qenë një projekt solo që e kam krijuar bashkë me producentin tim. Ajo që e bën këtë album të veçantë janë tekstet me histori nga jeta ime personale dhe nga dashuritë që kam pasur më herët. Besoj se shumë njerëz mund të lidhen me këto tekste, sepse pothuajse të gjithë kemi pasur eksperienca të mira dhe të këqija në dashuri gjatë jetës.

 

Albumi ka marrë 2,5 milion dëgjime në të gjitha platformat, çka për një artist të ri dhe pa shumë promovim është një sukses shumë i madh. Si ndiheni? E prisnit këtë rezultat?

 

Jam shumë i lumtur me reagimin që ka pasur albumi. Sinqerisht, nuk e kisha besuar që rezultati do të ishte kaq i mirë. TikToku ka qenë ndihma më e madhe në këtë rrugë. Kur je artist i pavarur dhe nuk ke një ekip menaxhimi, është shumë e vështirë të arrish një nivel ku të dëgjohesh nga shumë njerëz. Por kjo është ana e bukur e internetit: nëse nuk dorëzohesh dhe vazhdon, mund të bëhesh viral në çdo moment.

 

Dujanen është një emër i veçantë. Çfarë kuptimi ka?

Dujanen është një emër i veçantë dhe lidhet me emrin tim personal. Për shkak se dua të mbetem sekret për momentin, nuk mund të tregoj shumë. Ata që më njohin nga afër e dinë kush jam. Shpresoj që në një moment tjetër, kur të dal publikisht, të mund të tregoj më thellë kuptimin e këtij emri.

 

 

A mund të na tregoni diçka rreth jush dhe karrierës suaj artistike? Sa kohë keni që merreni me muzikë, projektet e mëparshme dhe çfarë planesh muzikore keni për të ardhmen?

 

Me muzikë merrem prej shumë vitesh, por nuk kam publikuar më parë sepse kam pasur një punë dhe karrierë tjetër. Muzika ka qenë gjithmonë një hobi për mua. Që nga vitet 2000 kam dëgjuar R&B dhe hip-hop old school. Kam shumë plane për vitin 2026. Në shkurt do të realizohet një bashkëpunim me një artist shumë të madh nga Kosova/Shqipëria. Shpresoj që të jetë një këngë shumë e bukur. Do të vazhdoj të bëj muzikë dhe çdo gjë që vjen gjatë rrugës do ta trajtoj në mënyrën më të mirë të mundshme.

 

Në foto dhe video, ju mbani gjithmonë balaclava. Pse kjo zgjedhje?

 

Në foto dhe video mbaj balaclava sepse kam një biznes tjetër dhe nuk dua që njerëzit të dinë kush jam. Muzika për mua është vetëm hobi. Në fakt, nuk kam pasur shumë dëshirë të dal fare në video, por vetëm të krijoj muzikë. Megjithatë, mendoj se për dëgjuesit është më e lehtë të lidhen me një artist kur e shohin edhe vizualisht.

 




Në një farë mënyre më pëlqen, sepse krijon një farë misteri rreth artistit dhe i bën dëgjuesit të përqendrohen tek muzika më shumë se personazhi. Ju ka ndodhur që të jeni pranë dikujt që dëgjon muzikën tuaj dhe nuk e di që jeni ju që këndoni?

 

Ka ndodhur që të jem në supermarket apo në bar dhe të dëgjoj muzikën time duke u luajtur. Kjo është një motivim shumë i madh për mua. Muzika është diçka që të shoqëron si në momentet e mira, ashtu edhe në ato të vështira. Në çdo aspekt të jetës, muzika mund të ndihmojë shumë. Për mua, muzika duhet të tregojë një histori ose të ketë një kuptim.

 



Këto ditë është publikuar edhe kënga “Je ma e mira” me DJ PM dhe DJ Dagz. Kënga është pritur mjaft mirë. Si lindi ky bashkëpunim?

 

Bashkëpunimi me DJ PM dhe Dagz ka filluar në TikTok. Kemi komunikuar aty dhe vendosëm të realizojmë një projekt bashkë. Kam pasur më shumë kontakt me DJ PM, një person shumë i mirë, shumë i sjellshëm dhe me të cilin krijova menjëherë një lidhje të fortë profesionale. Kam shumë respekt për të dy. Ata kanë bërë muzikë për shumë vite dhe kanë pasur shumë hite. Janë punëtorë dhe shpresoj që në të ardhmen të realizojmë edhe një “Je ma e mira – Version 2”.

 

A keni kompozuar këngë për artistë të tjerë shqiptarë më pare apo ky është bashkëpunimi i parë?

 

Nuk kam kompozuar këngë për artistë të tjerë, por kam marrë disa kërkesa. Ka shumë talente në Shqipëri dhe në të ardhmen do të kisha dëshirë të bëhem edhe producent.

 

Keni një zë shumë, shumë të mirë e të veçantë. Mënyra sesi e komandoni zërin, luhatjet, transformimi nga një varg në tjetrin… shumë smooth. Na kujton pak Craig David, Usher, The Weeknd në fillimet e tyre. Cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë influencat tuaja muzikore?

 

Si “old soul”, kam influenca nga artistë R&B si: Chris Brown, B2K, Usher, Jagged Edge, Mario, R. Kelly, Sisqo, etj. Këta artistë kanë qenë pjesë e rinisë sime dhe muzika e tyre më ka ndikuar shumë.

 




Jam i fiksuar me “Three in the Morning”. Kjo këngë ka nevojë për një promovim të fuqishëm, sepse vërtet mund të jetë një hit ndërkombëtar. Ke plan për ndonjë video të plotë për këtë këngë?

 

Kënga “Three in the Morning” ka një histori interesante. Një vajzë në Instagram më kontaktoi dhe më dërgoi një tekst shumë të bukur. Menjëherë fillova ta krijoj këngën në mendje. Me lejen e saj, e shndërrova tekstin në këngë, duke bërë disa ndryshime dhe duke shtuar elemente të reja. Themeli i këngës është i saj. Për videoklipin, shpresoj që të realizohet këtë vit. Disa persona më kanë kontaktuar për ndihmë pa pagesë dhe i falënderoj shumë për mbështetjen.

 



Meqë ra fjala. Mënyra sesi e kaloni nga shqipja në anglisht dhe prapë në shqip këngën në mënyrë kaq perfekte… thjesht superb! Keni ndonjë tentativë për tregun ndërkombëtar?

 

Mendoj se kombinimi shqip/anglisht funksionon shumë mirë në muzikë, sidomos për mua që jam lindur jashtë Shqipërisë/Kosovës. Më vjen më lehtë të shprehem në të dyja gjuhët. Tregu shqiptar është shumë i vështirë sepse ka shumë artistë që përpiqen të tregojnë talentin e tyre. Për të pasur sukses, duhet të krijosh diçka unike. Edhe njerëzit nga vende të tjera më kontaktojnë dhe komentojnë, sepse arrijnë ta kuptojnë mesazhin e këngëve. Edhe pse shumë fjalë janë në anglisht, emocioni transmetohet.

 

A keni planifikuar ndonjë koncert për këtë vit ose ndonjë party për promovimin e albumit? Do ishim aty 100%!

 

Nuk kemi planifikuar ende koncerte, sepse gjithçka është ende e re. Me kalimin e kohës, shpresoj që të ndodhë edhe kjo. Mua më pëlqen vetëm të krijoj muzikë, jo gjithë stresi që vjen rreth saj. Për artistët që e kanë si profesion, e kuptoj që duhet t’i bëjnë të gjitha. Muzika është edhe biznes. Për mua, mbetet hobi.

 



Duke ju falënderuar për intervistën, sinqerisht ju urojmë sukses dhe me plot gojë themi që jeni një prej zërave të ardhshëm më të veçantë e më të mirë të muzikës shqiptare.


Faleminderit shumë për kontaktin dhe ju uroj një vit 2026 të veçantë.

 

Elbino  © Albanyac 01/2026

Powered by Blogger.