KURR' N'JETË - Prezantojnë FAZË - INTERVISTË

 


Para disa vjetësh u duk sikur albumeve muzikore askush nuk po ju jepte rëndësi. Artistët e rinj, jo e jo, por as artistët e njohur. Po, pavarësisht se çfarë ju mësojnë rrjetet sociale për industrinë e muzikës, ka një arsye përse gjërat funksionojnë në mënyrën që funksionojnë; sepse kanë provuar që është mënyra e duhur. Një këngë mund të jetë hit, por një album prezanton një artist më plotësisht tek publiku, e në këtë mënyrë gjen dhe grupin e fansave të tij. Në 2025, patëm një prurje të madhe albumesh që kryesisht u iniciua nga talentet e reja. Një prej tyre është dhe “Kurr’ n’jetë”. Një grup nga Mitrovica (qytet i cili njihet për talentet muzikore) i cili në shkurt publikoi albumin EP me titullin “Fazë”, ku përfshihen gjashtë këngë midis të cilave dhe hiti “Ti dua”. Ndryshe nga të rinjtë e tjerë, jashtë kornizës – festival interpretimi – shfaqje televizive talentesh etj., Kurr’ n’jetë e filluan karrierën në skena live, ku sprovuan veten derisa mbërritën tek “Fazë”. Një formulë që duhet të aplikohet më shpesh në tregun tonë, ku artistët bëhen të njohur brenda natës dhe pastaj për vite me radhë mundohen të riprovojnë veten. “Fazë” është një album shumë i mirë debutues, dhe Kurr’ n’jetë duket se po e shijojnë këtë moment. I pari i shumë të tjerëve.


ELBINO: Përshëndetje djema, si po ja kaloni? Ku gjendeni për momentin dhe me çfarë jeni duke u marrë?


Përshëndetje juve. Për momentin jemi n’studio në Mitrovicë, ku edhe e kalojmë shumicën e kohës duke punuar si në këngë të reja, ashtu edhe në marketing dhe përpunimin e këngëve të EP-së për performanca live.

 

Atëherë, a mund të na bëni një prezantim të anëtarëve të grupit dhe rolin që kanë në grup?


Bendi jonë Kurr’ n’Jetë përbëhet prej 4 anëtarëve. Emir Xhenajeva dhe Gegë Kalludra si vokalistë/repera, tekstshkrues dhe songwriters. Emin Dolaku si gitarist, keyboard player dhe producent. Baton Haxhikadriu drummer dhe producent. Të katërtit jemi nga Mitrovica dhe jemi muzikantë më shumë se 10 vite tashmë.

 


Duke qenë se intervista e parë për Albanyac, natyrisht na lind pyetja se përse vendosët të quheni “Kurr’ n’Jetë”?


Kurr’ n’Jetë ka ardhur krejt rastësisht. Një shok e organizoi një koncert dhe na ftoi të performojmë. Pasi e bëmë foton për poster na pyeti se qysh me ju shkruajt emrin në poster. U mblodhëm me fol për ide, ku kishim ide të shumta por secili që e jepte ndonjë ide, Batoni veç thoshte kurr’ n’jetë s’bën ky emër. Duke marrë parasysh që krejt e kishim si shprehje fjalinë kurr’ n’jetë vendosëm me quajt bendin “Kurr’ n’Jetë” për këtë koncert, me synim që më vonë ta ndryshojmë. Emri kurr’ n’jetë nuk ndryshohet më hahah.

 

Si u formua grupi? E kujt ishte ideja?


Ideja për ta formuar grupin ka ardhur krejt spontanisht. Një ditë, duke bërë jam session në shkollën “Mitrovica Rock School” ku edhe jemi njoftuar. Në atë kohë Emiri ka qenë edhe bassist dhe vokalist, Gega keyboard player si dhe Emini në gitarë. Batoni ka punuar aty, dhe e ftuam me u bashkangjitë në drums. Duke i bërë këngët që bëhen në krejt pub-at e muzikës live në Shqiptari, Emini filloi melodinë e këngës “Lej Flleshat” të MC Kreshës. Emiri menjëherë u bashkangjit duke e kënduar refrenin, por kur erdhi koha e strofës nuk iu kujtohej dhe kur e pamë që Gega veç e kishte marrë mikrofonin për ta repovat strofën. Atë këngë e performuam atë natë në koncertin që na ftoi ai shoku, dhe gjatë performancës të kësaj kënge kishte një energji krejt ndryshe në dallim prej këngëve tjera. Aty vendosëm që ta zgjasim repertuarin e këngëve hip-hop duke e bërë një Live Session, dhe pas saj filluan disa festivale të na ftonin.

 

Mund të jeni një grup i ri, por keni kënduar në disa festivale. Duhet të veçoj që gjithmonë këndoni live. Më vjen mirë që e keni nisur prezantimin tuaj tek publiku nëpërmjet performancave live e jo nëpërmjet videoklipeve muzikore, siç është bërë zakon viteve të fundit. Si ndiheni në skenë dhe si ju ka pritur publiku deri tani?


Performancat live për neve janë krejt të natyrshme. Është vendi ku ndihemi më së miri ku energjia që përcillet nga publiku te ne dhe anasjelltas nuk mund të përshkruhet me fjalë. Posaçërisht, pas publikimit të këngës së parë dhe performancës së saj live, energjia e publikut ishte në tjetër nivel. Ky ishte momenti që vendosëm ta vazhdojmë më seriozisht këtë bend. Më vonë vazhduam publikimin e cover-ave të rinj, por njëkohësisht vazhduam të punojmë edhe në këngët tona origjinale. Para EP-së “Fazë” kemi të publikuara gjithsej 4 këngë origjinale.

 


Sapo keni publikuar albumin EP “Fazë”. Çfarë mund të na tregoni për këtë album?


Fazë është një projekt që përbëhet prej 6 këngëve, të cilat një nga një janë histori në vete, por nëse dëgjohen me radhë, mund të shihet si një story line i një lidhjeje. 
Krejt ideja e Fazës erdhi kur e kemi bërë refrenin “Ja kom nis me pas ndjenja për to”. Na pëlqente krejtve ky refren, dhe kemi qenë duke e diskutuar se për çfarë teme po e vazhdojmë këngën. Zakonisht kur jemi duke punuar një këngë merremi vesh se në çfarë teme po e bëjmë këngën për shkak që jemi 4 vetë dhe e kemi secili atë lidhjen personale me këngë. Njëri tha që është ide më e mirë që kënga të marrë kahje më shumë të dashnisë, e tjetri tha që më mirë të vazhdojë historia që ja kom nis me pas ndjenja për to por s’ia ka vlejtur. Këtu e vërejtëm që secili e kishim një vizion ndryshe për këngën edhe secili kishim dëshirë që t’i shprehim fazat që i kemi përjetuar vetë. Vendosëm që këngën me e lënë me temën që e jep vetë refreni, dhe për fazat e tjerëve ta shkruajmë nga një këngë tjetër. Pasi i bëmë goxha do këngë, duke i shprehur secili historitë e veta, filluam t’i selektojmë këngët që mund të jenë pjesë e EP-së. Aty e vërejtëm që krejt këto këngë të selektuara edhe pse janë faza të veçanta (personale), mund të shihen edhe si një histori e vetme. Ndoshta arsyeja që janë lidhë këngët si histori e vetme është që në ato faza mundeshim mu relate secili edhe në historitë e njëri-tjetrit, se veç ishin ngjarje që i ndodhin secilit, të paktën një herë n’jetë. Aty vendosëm me paraqit me visualizers, ku ka aktruar një çift gjithë historinë e bashkuar prej këngëve tona.

Jeni ndër të paktët artistë të rinj që keni publikuar një album. Personalisht mendoj që është diçka që duhet ta bëjnë të gjithë, sepse jep një prezantim më të mirë rreth grupit dhe formimit të tyre artistik, si dhe ku qëndron muzikalisht si grup. Përse brezi i ri duket sikur e nënzhvlerëson rëndësinë e albumeve, apo më duket mua?


Varet se si e sheh artisti. Ne personalisht të 4-tit kemi vendosur me punu një EP apo projekt më të madh për shkak se mendojmë që është një mënyrë e mirë për të shprehë idetë dhe vizionet e të gjithëve në grup. Që nga fillimi i lansimit të këngëve origjinale ne kemi pas vizion për të punuar një projekt më të madh, dhe jemi më se të kënaqur me produktin final. Po shpresojmë që edhe juve ju pëlqen ashtu si neve :).

 





Më pëlqen shumë, shumë “Ti dua”, është vërtet një këngë pop-shqip perfekte! Si lindi kjo këngë? Cila është historia pas saj? Kujt i dedikohet?


Si çdo këngë tjetër në EP, edhe kjo këngë është personale, por për dallim nga këngët tjera kjo përmban një remake të serenatës së vjetër korçare “Se do t’i dua” e cila pas saj përmban një histori të veçantë. Ideja e kësaj kënge ka ardhur pasi që kemi përfunduar një demo pa refren, pas një pauze të shkurtër ishim duke e diskutuar se a kemi ndonjë këngë e cila ishte e përshtatshme që e shprehë vizionin e këngës. Njëri nga ne e tha si ide këngën “Se do t’i dua” e aty vendosëm ta provojmë, dhe e pamë që përshkruan historinë e këngës ashtu siç e pamë këngën nga fillimi. Sa i përket dedikimit, secili prej neve e ka pas një person në mendje gjatë procesit të punimit të këngës.

 



A e ka dëgjuar Marigona këngën tuaj “Tash shko”? Si ju duket?


Po sigurisht që e kanë dëgjuar. Pasi ne e përfunduam këngën, ua dërguam atyre që t’i pyesim për të drejtat autoriale, dhe ata pa hezitim pranuan. Na dhanë një feedback shumë të mirë dhe na uruan suksese!

 


Nuk di nëse keni një menaxher apo i menaxhoni të gjitha vetë, por do t’ju jepja një vlerësim maksimal, sepse mënyra sesi është prezantuar EP-ja, së bashku me videoklipet, posterin, merchandise etj., është shumë profesionale. Keni bërë një punë të përkushtuar dhe fantastike. As artistët e njohur sot nuk bëjnë një prezantim kaq të mirë.


Faleminderit shumë për këto fjalë! Menaxher nuk kemi, dhe shumicën e punës e bëjmë vetë. Që nga ideja, te skenari, posteri, rrjetet sociale etj. Ndoshta që jemi 4 vetë e bën shumë më të lehtë menaxhimin e grupit, por gjithsesi për fusha të caktuara na nevojiten edhe njerëz profesionistë. Me këtë rast deshëm t’i falënderojmë të gjithë personat e përfshirë në këtë projekt: 
Fatjon Miftaraj për 2 këngët e para të albumit, “Boss Lady” dhe “Ja kom nis me pas ndjenja për të”, që janë co-produce; Ekipin e videos që janë Berat Ramadani, Urim Xhemaili dhe Enis Dolaku; Për këngën “Ti dua” Diana Mehmetaj që ishte backvokaliste në refren si dhe Leonard Canhasi për aranzhimin e gitarave. Mitrovica Rock School për hapësirën si dhe Ministrinë e Kulturës në Kosovë për përkrahjen!

 

Ju keni bashkëpunuar me disa artistë, si dhe keni bërë cover këngë të njohura, por unë doja të dija: nëse do të kishit mundësinë të bashkëpunonit me një artist, kush do të ishte ai/ajo?


Duke marrë parasysh që ne i kemi bërë cover shumicën e artistëve tanë vendorë, kjo tregon që jemi shumë të hapur të bashkëpunojmë me secilin nga ata. Po shpresojmë që do të kemi edhe bashkëpunime në një të ardhme të afërt.

 

2026 duket se ka nisur mbarë për ju. Cilat janë planet e grupit për muajt e ardhshëm?


Ne vetëm jemi duke punuar në këngë të reja, dhe gjithashtu në përgatitjen e performancave live për festivale dhe koncerte të ndryshme. Muzika nuk do të ndalet, dhe stay tuned për sene të reja!

 



Duke ju uruar suksese, donim të dinim se kur do të vini në Tiranë me ndonjë performancë live, sepse patjetër që do të jemi aty!


Po shpresojmë që shumë shpejt do të jemi edhe në Tiranë, e patjetër që do të dërgojmë një ftesë së bashku me pije hahaha!

U ba! Çdo gjë me vodka…Në rregull jemi! 😊


Intervistoi: Elbino © Albanyac 03.2026

Powered by Blogger.