ALICE THE ALBANIAN - Intervistë
Me ndryshimet ekonomike dhe shoqërore, Shqipëria filloi të
shikonte jo vetëm vizitorët, por edhe të huajt e parë që po shpërnguleshin në
Shqipëri për të jetuar. Teksa edhe sot shqiptarët vazhdojnë të largohen, shumë
të huaj kanë gjetur këtu një shtëpi të përhershme. E janë këta të huaj të cilët
jo vetëm flasin për natyrën e bukur shqiptare, por edhe për ndryshimet
kulturore, problemet dhe realitetin shqiptar, duke qenë në një farë mënyre
promovuesit më të sinqertë dhe më të mirë të vendit tonë. Ndërkohë, një prej
pyetjeve të para që hasin është “përse Shqipëria”? Pak ironike, ardhur nga ne
shqiptarët, një popull emigrant, që kudo që shkojmë na bëjnë po të njëjtën
pyetje. Po përse erdhe me shkollë këtu? Po përse vendose të jetosh në Amerikë?
Po pse jo? Teksa në pamje të parë të duket si një pyetje “kërcënuese”, kupton
që është më tepër kureshtje. Për disa breza me radhë na është “mësuar” në çdo
anë të jetës që mënyra më e mirë është të largohesh prej këtu, sepse atje (kudo
që “atjeja” është) sado keq të jetë, është më mirë se këtu. Kjo sepse
shqiptarët në Shqipëri u rritën dhe vazhdojnë të rriten me një perceptim utopik
të jetës jashtë vendit, ku çdo gjë funksionon më së miri. Dhe është disi e
vërtetë që funksionon, por funksionon sepse taksat individuale shkojnë deri në
50% të të ardhurave, sepse ajo kultura shoqërore me të cilën ballafaqoheni
është vendosur me një rregull ligjor të pamëshirshëm. Është vendosur me
luftëra, është vendosur me orare të stërgjatura e nga dy punë, etj., etj. E kjo
padituri vazhdon t’i bëjë shqiptarët pesimistë kundrejt vendit të tyre. Kemi
krijuar një kulturë pak përtace ku, në vend të ndërtojmë, duam t’i gjejmë të
gjitha gati dhe largohemi.
Ndërkohë, të huajt që po i shtohen Shqipërisë dita-ditës nuk
vijnë vetëm për të jetuar këtu, por edhe po “ndërtojnë”.
Njëra prej tyre është edhe Alice Taylor.
Mbaj mend kur të huajt e parë filluan të vizitonin Shqipërinë dhe sa herë i
pyesnin se çfarë mendojnë për vendin tonë, gjithmonë jepnin të njëjtën
përgjigje – vend i bukur, natyrë e bukur, etj., por asnjëri nuk tregonte sesa i
ndryshëm ishte realiteti shqiptar krahasuar me vendet nga vinin. Ndaj, jo
rastësisht, kur Alice, një gazetare dhe shkrimtare angleze, pas shpërnguljes në
Shqipëri botoi “10 gjërat që mësova pasi u shpërngula në Shqipëri”, shkrimi i
saj u bë viral. Ajo gjeti një “gjuhë të përbashkët” me qytetarët e vendit ku
jetonte, duke vënë në pah ndryshimet midis kulturave, por prezantuar me një
sens humori e pa paragjykime që shoqëroheshin në atë kohë rreth Shqipërisë e
shqiptarëve në shkrimet e vendeve të huaja. E kështu ajo fitoi zemrat e
vendalinjve, duke u shndërruar në vitet pasuese në një prej ambasadoreve më të
njohura të kulturës, turizmit dhe shoqërisë shqiptare. Ne zhvilluam këtë bisedë
teksa Alice po përgatitej për hapjen e një ekspozite pikturash në Tiranë.
Elokuente, natyrale dhe plot humor, ajo flet për shpërnguljen në Shqipëri,
aktivitetin e saj, jetesën këtu dhe të ardhmen.
Sot, autore e tre librave, gazetare, drejtuese televizive,
aktiviste, Alice e quan Shqipërinë shtëpinë e saj, ku jo vetëm jeton, por edhe
ka vendosur të krijojë familje dhe pleqërohet. Ajo nuk është më Alice in
Albania, por me plot gojën Alice the Albanian!
Përshëndetje Alice, si po ja kaloni këto ditë në Tiranë?
Përshëndetje! E zënë me punë, por e lumtur që më në fund, pas
dy muajsh shi, kemi kohë me diell. Më ndikon koha e vrenjtur, më bën si të
depresionuar. Kam nevojë për diell, një nga arsyet që edhe lashë Anglinë. Nuk
kam mundur të bëj aktivitetet që dua apo të udhëtoj dhe më në fund jam e gëzuar
që pranvera po ndihet dhe vera po afrohet.
Përveç motit të bukur, çfarë dinit për Shqipërinë përpara se
të udhëtonit për herë të parë drejt Tiranës dhe si vendosët që ta vizitonit
atë?
Ishte 21 tetor i 2017. Kisha rezervuar një fluturim sepse
gjeta bileta të lira dhe në atë moment të jetës sime isha duke udhëtuar nga pak
dhe po kërkoja një vend ku mund të shpërngulesha për të jetuar, sepse nuk
dëshiroja të qëndroja më në Malta ku jetoja për momentin dhe isha “në treg”, si
të thuash, për një shtëpi të re, por edhe të eksploroja disi. Unë punoja si
gazetare “freelance” e kjo më jepte mundësinë të punoja nga kudo, mjaftonte që
të kisha lidhje me internetin. Dhe po mendoja “Cool, mund të udhëtoj, e po marr
laptopin me vete.” Mbërrita me një fluturim nga Qipro në aeroportin e Tiranës
rreth orës 11 të mëngjesit. Nuk dija shumë për Shqipërinë. Dija që kishte qenë
një vend komunist. Kisha parë filmin “Taken” (qesh). Dija edhe që një pjesëtar
i vjetër i familjes sime nga breza të mëparshëm kishte vizituar Shqipërinë më
1850–1851. Dija gjithashtu që ishte i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që
mamaja ime nuk arriti ta vizitojë gjatë udhëtimeve të saja në 1960. E mbaj mend
që më ka treguar edhe një histori, pasi i kishte mbetur merak. Kur ishte në
Korfuz në një bar pranë detit, pyet një nga kamarierët se çfarë janë ato dritat
në anën tjetër? Ishte duke folur për Sarandën, e cila në ato kohë nuk kishte
ndriçimin që ka sot, vetëm disa drita, dhe ai iu përgjigj: “Oh, ajo është
Shqipëria. Nëse ja arrin të shkosh, nuk të lënë më të kthehesh.” Ndaj kur i
thashë mamasë që po shkoj në Shqipëri, iu rifreskua ky moment dhe më tha ki
kujdes. Normale, ime më është e edukuar dhe nuk e kishte në atë sensin negativ,
më tepër sesa në sensin prindëror, por iu kujtuan edhe fjalët e kamarierit grek
që e kishin frikësuar disi dhe akoma mbartnin atë efekt.
Dhe momenti kur zbritët për të parën herë në aeroportin
shqiptar. Cilat ishin mbresat e para… përshtypjet me personin e parë që patët
kontakt?
Yeah, ishte ngrohtë. Ishte diell. Kaotik. Kishte taksi kudo,
nuk ishte si aeroporti sot. Dhe kur zbrita u kujtova që nuk kisha lekë të
thata. As nuk e dija se çfarë lekësh duhej të përdorja. Nuk lidhesha dot me
wi-fi sepse nuk punonte. Nuk kisha valë në celular. Shkova në një bankomat të
tërhiqja lekë dhe lexoj 1000, 5000, 10.000 dhe u hutova sepse nuk e kisha idenë
sa lekë ishin 5000 lekë. Thjesht shtypa butonin e prita për më të mirën. Pastaj
dola jashtë, ku taksixhinjtë ishin pak si agresivë dhe i anashkalova derisa
gjeta një rresht taksish si më të qetë dhe pashë një taksixhi më të ri dhe
mendova “Ok, ky s’duket sikur do të më rrëmbejë!” Jo sepse isha në Shqipëri,
por sepse si femër kudo që udhëton ka disa kritere që kërkon të plotësohen për
t’i qëndruar larg rrezikut. E meqenëse fliste edhe anglisht, akoma më mirë.
Hyra në taksi dhe mbaj mend që fotografia e parë që kam bërë ishte ajo e
rrethit të shqiponjës. Mbaj mend që ishte duke folur tërë kohën, duke më
treguar se i pëlqente Anglia dhe pse nuk kishte qenë ndonjëherë, dhe teksa
fliste kthente kokën mbrapa. Vërtet ishte miqësor e doja t’i flisja, por këndej
po mendoja në gjithë atë trafik kaotik, ndoshta shiko edhe përpara ndonjëherë.
Po të paktën mbërritëm në hotel në rregull.
Si ju duk Tirana e asaj kohe?
Qëndrimi i parë ka qenë tek Rogner, sepse po mendoja të rrija
vetëm dy ditë dhe thashë pse mos të qëndroj në një vend të mirë. Teksa i
afroheshim qendrës, mbaj mend që nisa të mendoj se duket një vend interesant.
Prisja një arkitekturë më brutale e më gri, por jo. Ishte shumëngjyrëshe.
Ndërtesat kishin ngjyra të bukura. Rrugët e mbushura me njerëz. Ishte ditë me
diell. Teksa hymë në bulevardin kryesor thashë “Wow! Ky vend është vërtet
interesant!” Ka diçka që nuk e vë dot gishtin dhe të thuash është kjo, por ka
diçka që e bën të veçantë. Është europian dhe të bën të ndihesh si në shtëpi,
por në të njëjtën kohë është edhe shumë i ndryshëm. Lashë gjërat në hotel dhe
direkt dola sepse mezi po prisja ta eksploroja. Më duket vendi i parë ka qenë
Artigiano mbrapa Piramidës sepse po kërkoja një vend për të ngrënë. Mbaj mend
po shëtisja midis rrugëve tek zona ku banon Sali Berisha. Më pëlqejnë ato
rrugët aty si avenue me pemë, me godina të bukura dhe kafe. Pastaj shkova tek
Komiteti, ku më pritën shumë mirë, bile u bëra mike edhe me pronarin e tij, të
cilin e kam intervistuar më vonë… Të nesërmen shkova në një kafe tek Myslym
Shyri. Aty ishte një vajzë me të cilën filluam të bisedonim dhe është një
miqësi që e ruaj edhe sot.
Dhe më pas çfarë ju shtyu të qëndronit në Shqipëri?
Ditën e dytë kur u ktheva në hotel pata një dhimbje veshi dhe
shkova tek recepsioni për të pyetur se ku mund të shkoja, se nuk e dija ende që
në Shqipëri i jepnin të gjitha pa recetë (qesh). Ata më dërguan një doktor i
cili më tha që duhej të merrja antibiotik dhe nuk duhej të fluturoja për të paktën
tre ditë. Më pas dola për të marrë ilaçet dhe duke ecur përfundova në një kafe
tek Pazari i Ri. Thashë po pi diçka përpara se të marr antibiotikët. Moti nuk
ishte dhe aq i mirë dhe kamarierja po më thoshte të hyja brenda, e kur mori
vesh që isha angleze, iu tregoi edhe të tjerëve në lokal të cilët filluan “oh e
duam mbretëreshën, oh ti dukesh si princesh Diana, i ke flokët si ajo”… dhe më
ofruan raki. Rakija më bëri të qëndroj në Shqipëri (qesh). Bëj shaka, por nuk e
kisha provuar ndonjëherë dhe në fillim nuk pranova, por më tha që jo, po nuk
mund t’jua refuzosh (ishin disa zotërinj rreth 60–70 vjeç) dhe thashë ok. Ja
kaluam shumë mirë, ishin shumë të sjellshëm, bëmë edhe foto. Vajzën e kam
takuar edhe herë të tjera. Më solli edhe pak ushqim dhe mbas asaj edhe një
tjetër gotë raki dhe… ja kaluam shumë mirë. Më pas mora antibiotikët dhe shkova
në hotel të ndërroj datën e fluturimit. E jo se isha e pirë, por isha pak e
luhatur edhe e shtyva fluturimin për tre ditë. Kur marr konfirmimin e kisha
shtyrë jo pas tre ditësh por pas tre javësh. Thashë të blija biletë të re, por
kur pashë se i binte më lirë me marrë një AirBnB sesa biletë, mendova pse mos
të rri këtu për tre javë. Fati e deshi që të takohesha me një vajzë nga Austria
e cila jetonte në Tiranë dhe kërkonte një shoqe dhome dhe vendosa të qëndroja.
Në fund të tre javëve shkova paketova gjithçka në Malta, mora edhe dy macet dhe
u shpërngula në Shqipëri. Isha aq e shqetësuar për macet saqë kisha bërë gjithë
dokumentacionin që mos të më krijonin probleme. Kur mbërritëm në aeroport,
shkoj tek dogana për të marrë macet dhe punonjësi më thotë “Çfarë?” Pastaj ma
bën me dorë nga shiriti i valixheve, veç kur shikoj macet në kutitë e tyre duke
u rrotulluar bashkë me valixhet. As i kishin kontrolluar fare.
Kur filluat të jetonit këtu si e kishit planifikuar të
ardhmen? Normale, që kishit disa njohje, por çfarë ndodhi më pas…
Kur fillova të jetoja në Shqipëri nuk isha dhe aq shumë
followers, thjesht të njohurit e mi. Instagrami nuk ka qenë dhe aq popullor në
atë kohë, por kur fillova të postoja fotot e para nga Shqipëria, njerëzit
filluan të interesoheshin rreth vendit dhe rreth qëndrimit tim. Fillova të
ndiqesha nga shqiptarë në FB dhe Instagram të cilëve u pëlqenin fotot që
postoja dhe ndaj si gazetare mendova përse mos ta filloj një blog? Në janar
ndërtova një website të thjeshtë dhe fillova të postoja disa artikuj rreth
udhëtimit, eksperiencave dhe njerëzve që kisha takuar dhe fillimisht i kam
postuar në Facebook. Mbaj mend që në ditën e parë mora me mijëra lexime dhe
thashë “A mamaja po bën refresh faqen?” (qesh). Pastaj, pas postimit të “10
gjërat që mësova pasi u shpërngula në Shqipëri”, një shkrim që u ripublikua në
shtyp etj., shkrimet u bënë goxha popullore, çka ishte vërtet e papritur.
Po me faqen tuaj Balkanista çfarë ndodhi?
Akoma e kam, por në një tjetër domain – Alice in Albania.
Gjithashtu, pas lindjes së vajzës e kisha kohën më të kushtëzuar, midis punës,
përkujdesit për vajzën, plus vëmendja e njerëzve u shpërngul më tepër në median
sociale. Njerëzit po shikonin më shumë postimet në Instagram, apo podkastet,
sesa artikujt, ndaj ndodhi dhe kjo. Besoj kam pasur podkastin e parë në
Shqipëri më 2020–21… pra thjesht çështje menaxhimi kohe. Plus që fillova edhe
në Euronews. D.m.th. shpirti i tregimit është i njëjtë, thjesht ka ndryshuar
mënyra e përcjelljes tek publiku.
Gjithashtu keni publikuar tre libra, më I fundit “Alice në
Shqipëri – 250 Aventura”. Cilin nga 250 aventurat do të veçonit im ë
interesanten apo më personalen?
Nuk e zgjedh dot një si më të preferuarën, e kam të pamundur.
Është sikur të pyesin cili është vendi yt i preferuar, por nuk mund ta
zgjedhësh, se mua më pëlqejnë të gjitha vendet për arsye të ndryshme.
Atëherë, ndoshta një ngjarje, diçka që e ke përjetuar në
Shqipëri dhe nuk do kishe mundur ta përjetoje në vendlindje apo diku tjetër?
Kam një histori, por nuk mund ta tregoj sepse është për
botimet e ardhshme… por ok, do të tregoj një histori që më ndodhi në korrik
(2025). Ishim për udhëtim në Lëpushë. Ke qenë në Lëpushë?
Jo, nuk
besoj.
Në libër
emri juaj është Alice Taylor, por në Instagram shkruani Alice Ophelia Taylor…
është Ophelia ndonjë…
Ai, është
emri im i mesëm.
Oh ok,
sepse diku në një intervistë të viteve më parë lexova që ju prezantuan si Alice
Elizabeth Taylor dhe ndaj u bëra konfuz, thashë një sekondë… Elizabeth Taylor?
(Qesh) gjithmonë i ngatërrojnë. Ne përdorim emrat e mesëm në U.K. Unë kam dy
emra të mesëm…
Oh, ok. Unë jam katolik dhe e njëjta gjë, por nuk e përdor në çertifikatën
zyrtare.
Gjithmonë ma ngatërrojnë, sepse këtu të pyesin si e ke emrin e plotë dhe unë
gjithmonë me idenë se duan të dinë të gjithë emrin edhe (qesh)…
Si të tha? S’ka hapësirë? Haaaaa! Shumë shqiptarçe.
I thashë bëje shkrimin më të vogël dhe e nxë. Më tha edhe që
nuk është ligjore, por unë isha përgatitur dhe e dija që nuk ishte e vërtetë,
se njoh familje që kanë emra të mesëm më të gjatë se vetë dita. E dija që ishte
e mundur, thjesht ajo po tregohej e vështirë pa arsye.
Një ndër postimet e tua të para që kam hasur në Instagram ka
qenë ajo e komshinjve të cilët mendonin se ishe spiune. Më ka bërë me qesh,
sepse pak a shumë pata një histori të njëjtë kur u ktheva në Shqipëri. Njerëzit
duke bërë pyetje apo reagime nga më të çuditshmet. Pale pastaj këto teoritë
konspirative: po pse erdhe, kur do kthehesh. Duke bërë 101 pyetje. Një komshie
drejtpërdrejt më pyeti, po ti për çfarë pune ke ardhur këtu? Për punët e mia i
thashë, ene ti shiko punët e tua hahaha! Po ju tani si i keni marrëdhëniet me
komshinjtë tuaj?
Në fillim ishin konfuz rreth meje, por së fundmi patëm një
problem në apartament, na u prish tubi i ujit që vjen nga çatia dhe po pikonte
në apartamentet e të gjithëve dhe askush nuk po e merrte mundimin ta
rregullonte. Dhe unë, e “huaja”, “spiunia” (qesh), shkova tek bashkia, mora
lejen për punime, gjeta hidraulikun, negocjova edhe çmimin, gjithçka në shqip
dhe shkova u tregova të gjithëve që e kreva këtë punë dhe u shokuan e u çuditën
disi dhe tani më duan.
Tani për
çdo gjë do të kërkojnë ty…
(qesh) Po, po, për
çdo gjë do vijnë të trokasin në derë. Por, yeah, akoma mendoj se janë dyshues
rreth motiveve të mia.
Kjo pyetje ka të bëjë me leksionet që jepni në Universitetin
e Tiranës. Po lexoja një shkrim ku thuhej se regjistrimet në gazetari kanë rënë
shumë. Si e shikoni të ardhmen e gazetarisë në Shqipëri?
Jam e ftuar aty të jap leksione dhe mësime si dhe në shkolla
dhe institucione të tjera dhe jam shpesh në kontakt me të rinjtë. Herën e parë
që dhashë leksion në Universitetin e Tiranës, një prej lëndëve është
mësimdhënia e të shkruarit në anglisht, në stilin e agjencive si Reuters, AP,
një përmbledhje të drejtpërdrejtë të lajmit, në anglisht për ata që nuk e kanë
anglishten gjuhë amtare. Teksa po bëja prezantimin, një djalë në vit të parë
ngre dorën dhe më pyeti se përse duhet të mësojmë sesi të shkruajmë pasi askush
nuk lexon më dhe thjesht dua të bëj gjëra për TikTok e TV dhe thashë… Si mund
të presësh t’i bësh këto kur nuk ke as njohurinë bazë, sesi të shkruash një
shkrim, sesi të kontrollosh faktet, t’i përdorësh fjalët siç duhet, struktura…
Dhe nuk e kuptojnë që çdo format ka një strukturë të caktuar,
ose përndryshe as nuk pranohet për konsiderim…
Si mund të studiosh gazetari kur nuk e kupton diçka të tillë?
Mendoj që është e vështirë, sepse kemi një situatë me median sociale – çka
është edhe mirë edhe keq – ka shumëzuar në mënyrë masive sektorin mediatik që
ka sjellë shumë disavantazhe. Çdokush mund të marrë miliona shikime dhe kjo bën
që njerëzit të mendojnë se ajo çka thuhet është e drejta (në rastin tim është e
vërtetë (qesh)), por i bën të gjithë të duken si gazetarë. Nuk ke nevojë të
kesh trajnim, që do të thotë që i jepet më pak vlera dhe rëndësi gazetarisë së
vërtetë. Njerëzit kanë humbur interes në çdo lloj forme të gjatë gazetarie. Dhe
në YouTube, nëse videoja është më e gjatë se gjashtë minuta, YouTube të
penalizon. Për shembull, në Shqipëri media e printuar nuk ekziston më dhe është
një fatkeqësi. Njerëzit duan një lajm të shkurtër, të shpejtë, por mendoj që do
ketë një rilindje të medias së shkruar dhe shpresoj që të ketë.
Ajo po ndodh në Amerikë momentalisht. Njerëzit po humbasin
besimin në postimet e medias sociale dhe po i rikthehen sërish mediave qendrore
për verifikim të lajmeve. Të gjithë menduan për vite se shitja e librave dhe
shtypit do kishte rënie, gjë që ndodhi fillimisht, por në dekadën e fundit ka
pasur sërish rritje. Ajo çfarë ka ndryshuar është se lexuesi thjesht është më
seleksionues.
Të gjithë janë të shqetësuar për likes. Për shembull, një
prej intervistave të mia më të preferuara ishte me Fatos Lubonja, një personazh
shumë i zgjuar dhe interesant. Patëm një bisedë shumë të bukur e mund të flisja
me të për orë të tëra, por nuk mori mijëra e mijëra views, por nëse poston
diçka me Big Brother merr miliona views. Audiencat janë duke u bërë më pak të
edukuara dhe është problem i madh, sepse media drejtohet nga shikimet dhe
reklamimet. Nëse ju jep “idiotlliqe”, ato do kërkojnë të konsumojnë veç
idiotlliqe e do përkeqësohet akoma më shumë si situatë. Unë kam audiencën time
bazë dhe gjithmonë do të ketë njerëz që do lexojnë, por është një situatë të
cilës nuk i shpëton dot. Ti poston një lajm dhe në komente të pyesin për diçka
që ndërkohë ti e ke thënë në lajm. E më vjen me thënë, sikur të kishe duruar
edhe disa sekonda (qesh) e ky nuk është një problem vetëm tek shqiptarët, por
tek të gjitha audiencat.
Mendoni që do ta kaloni pleqërinë në Shqipëri?
Po, po! Kam blerë apartament këtu. Ime më jeton këtu dhe dua
që vajza ime të rritet këtu, për shumë arsye, por edhe sepse mendoj që është
vendi më i mirë për rritjen e saj.
Nuk e dija që edhe nëna juaj jetonte këtu. Po vajza ka mësuar
shqip?
Po. Ajo shkon në shkollë publike, i flet të dyja (anglisht,
shqip) gjuhët shumë mirë dhe mësuesit më tregojnë që flet shqipen letrare shumë
mirë, sepse e ka mësuar nga shkolla e jo nga mua dhe ndonjëherë më thotë “Nuk
të kuptoj” e i them “Më kupton si dreqi, më kupton!” (qesh)
A keni qenë në MB së fundmi?
Isha në gusht për një takim familjar, por kam kaq kohë që
jetoj jashtë MB (që prej moshës 21 vjeçe) saqë nuk ndihem më pjesë e saj. Nuk
kam shtëpi atje, as numrin kombëtar të siguracionit nuk e mbaj më mend, jam
komplet jashtë sistemit e as nuk e mbaj mend as si funksionon më. Sigurisht
është vendlindja ime dhe e dua, por nuk është shtëpia ime. Këtu (Shqipëria)
është shtëpia ime tani. Kur udhëtoj për punë në Bruksel etj., pas disa ditësh
them jam gati të kthehem në shtëpi. E kur avioni kalon mbi Kroaci e poshtë në
Mal të Zi teksa i afrohet Shqipërisë më krijohet ajo ndjenja që… po kthehem në
shtëpi.
Intervistoi/redaktoi: Elbino. Albanyac 04.2026 ©






Post a Comment