Kaini dhe Abeli – Të bijtë e Adamit

 






Historia e Kainit dhe Abelit gjithmonë më ka tërhequr, sepse pasqyron pothuajse çdo marrëdhënie në jetë: ose Kain, ose Abel. E rëndësishme është të dish dhe të pranosh se cilës anë i përket.

Pjesa sjell Kainin në tribunën e gjyqit për të provuar, justifikuar apo shfajësuar aktin që ai kreu nga perspektiva e tij. Shtron pyetjet nëse do të kishte ekzistuar vrasja nëse Kaini nuk do ta kishte vrarë Abelin; a është fajtor Kaini si autor i vrasjes së parë në botë për çka pasoi, apo njerëzit që vazhduan të vrasin? E teksa Kaini flet, më tepër vërteton që i gjithë faji bie mbi të. Më shumë një fjalim/vetëmbrojtje prej narcisti që luan viktimën – “unë po, por ju akoma më shumë”.



Më pëlqeu lidhja midis historisë origjinale, ku Kaini lëngon për aprovimin e Zotit, e shndërruar këtu në lëngim për aprovimin e babait, familjes, që i jep një nuancë bashkëkohore, megjithëse është një temë e përjetshme. Por mospërfillja, apo le të themi mosdashuria e dikujt ndaj teje, nuk është një arsye për asnjëfarë krimi makabër. Hyn pastaj në një temë komplet tjetër.

Në fund të fundit, Kaini në histori paralajmërohet nga Zoti dhe pati lirinë të zgjidhte. Gënjeu për krimin dhe, me një përgjigje si “A jam kujdestari i vëllait?”, nuk tregoi asnjëfarë pendimi për atë që kishte bërë. Dhe ta sjellësh në gjyq për t’u vetëshfajësuar dhe për të kërkuar llogari për atë çka pasoi… hmmm.

Personalisht, do ta kisha parë më tepër në këndvështrimin e përcaktimit të fatit të tij. Pse duhej të ishte ai që të ndjente xhelozi, që të ofronte me kurnacëri, që të tundohej të vriste të vëllain? Pse? Pse “zgjedhja e tij e lirë” duhej të ishte një zgjedhje e gabuar…? Është një pyetje që e hasim shpesh edhe sot: “Pse unë?”

Sepse, nëse ti bën një vrasje e tjetri pesë… nuk të bën as më shumë të mirë, as më pak të keq. Të dy vrasës mbeten.



Ore, dhe mund ta kenë thënë këtë dhe nuk e kam dëgjuar lol. Nuk di pse kishin vendosur autoparlantët anash në sallë, volumi i të cilëve shpeshherë mbulonte zërat e aktorëve, plus që salla vetë ka problem me akustikën, kështu që nuk i dihet.

Gjithsesi, për mua do të thoja që është një ndër shfaqjet që më ka pëlqyer më shumë nga Teatri Eksperimental, me një skenografi, koreografi dhe ndriçim shumë të realizuar. Ok, disa koncepte janë të njohura, por të realizuara dhe të përshtatura shumë mirë në këtë pjesë. Gjakova ishte ylli i kësaj shfaqjeje. Ok, unë them gjithmonë që luajnë mirë, poooor Silvio në këtë rol ishte thjesht superb! Mos e humbisni.

 

Kaini dhe Abeli – Të bijtë e Adamit
Regjizor: Rafael Hoxhaj
Dramaturg: Bujar Hoxhaj
Skenografia: Beqo Hoxhaj
Në role: Silvio Gjakova, Jurgen Marku, Bujar Hoxhaj, Anxhela Bregasi, Fabjan Blloku, Elisa Jakimi, Ariton Pollozhani, Reina Ndreu, Maria Brokshi.

Powered by Blogger.