Më fal...qysh?
Ka disa ditë që më del në feed kjo video, e cila tashmë është bërë virale. Vajza quhet Brunela dhe prezantohet si pjesë e brezit Z. E ndoqa. Ajo ka të drejtën e saj të ankohet, siç ka bërë çdo i ri nga brezet e përpara saj, dhe ka shumë të drejtë. Pastaj vjen një moment kur thotë: “Brezi i parë mbase që do të bëjë një jetë me cilësi më të keqe se ajo e prindërve të vet.” Dhe kur pashë që mbi 10.000 veta e kanë pëlqyer këtë video, thashë: seriozisht? Nuh, një sekondë!
Që këta janë brez delulu, kjo tashmë është bërë një lloj sporti kombëtar, por të akuzosh, sidomos në Shqipëri, brezat e mëparshëm për problemet e tua? Ky është tjetër nivel.
Ajo e nis monologun e saj me një ton ironie rreth etiketave, por në fakt krijon shembullin më të mirë se përse etiketat janë të nevojshme. Jo se ju pëlqejnë njerëzve, por për të shpjeguar, si për shembull në këtë rast, se cilit brez po i drejtohet. Boomers? X? Millennials? Të gjithëve?
Thotë që janë brezi i parë mbase që do të bëjë një jetë me cilësi më të keqe se ajo e prindërve të vet. Kujt ia thotë? Brezit që hante me tollona dhe nuk kishte të drejtë fjale? Apo brezit që përgojohej se vishte një minifund apo kollare? Brezit që iu rrëmbeheshin shoqet e motrat në rrugë? Brezit që iu vranë shokët për një fjalë goje?
Më vjen mirë që vajza i ka valixhet gati, sepse brezat para saj nuk kanë pasur valixhe. Janë nisur me torba maleve e deteve, ku kanë humbur jetën. Ndërkohë që, e dashur, ti me 20 euro për një orë je në Romë.
Këtij brezi?
Këto breza nuk iu larguan Shqipërisë se nuk donin të bënin punë të dyta apo të punonin jashtë profesionit. Këto breza u larguan se Shqipëria nuk kishte punë. Se po vriteshin.
Këto breza me shkollë të lartë kanë larë pjata, sepse nuk iu njihej diploma, dhe e kanë ridhënë në vendet ku jetojnë. Brezi juaj mund ta gjejë një punë në vend të huaj që nga kolltuku i shtëpisë. Shtëpisë që e paguajnë prindërit tuaj, ata të njërit prej këtyre brezave.
Brunela qorton sistemin, pavarësisht se është 24 vjeç dhe ka të drejtë vote. Pavarësisht se brezi i saj përbën 22% të popullatës. Pavarësisht se brezi i saj ka vetëm një përfaqësues në parlament. Pavarësisht se brezi i saj ende nuk ka sjellë ndonjë ndryshim të madh në shoqërinë shqiptare.
Dhe ka edhe shumë “pavarësisht” të tjera, për të cilat brezat e mëparshëm kanë mëse të drejtë të ankohen.
Por jo vetëm brezi juaj.
Brezi që nuk arrin të ndajë jetën dhe personalitetin real nga ai në social media.
Ka shumë të drejtë. Shqipëria duhej të ishte më mirë. Por arsyet për këtë gjendje datojnë shekuj më parë e përtej kufijve tanë.
Ti ankohesh një brezi që kaloi detin pa vizë, punoi si skllav, u përul, u përdor, u degjenerua, e prapë se prapë mbajti familjen e tij, fëmijët e tij, që të kishin një jetë më të mirë, dhe tani duhet të shohë këtë lloj mosmirënjohjeje në televizion, duke jetuar në një kohë me mundësi shumë më të mëdha se brezat e mëparshëm?
Shiko përreth… kush mendon se solli këtë zhvillim në vend? Z?
Të ofenduar se ju thonë të shkoni në shkollë? Të punoni? Të krijoni familje?
Seriozisht!!!
Në këtë jetë, e dashur, nuk të detyrohet askush, asgjë. Sa më shpejt ta kuptosh, aq më pak ankesa do kesh.
Në Shqipëri, të gjithë i kanë sytë dhe gishtin nga qeveria, ndërkohë në Amerikë, JFK tha: “Mos pyet çfarë ky vend mund të bëjë për ju, por çfarë ju mund të bëni për këtë vend.”
Ndoshta, këtu fillon problemi.
Post a Comment