Header Ads

Nga Filadelfia ju flet Mike Adam! - Interviste


Prolifik nuk është më. Tani e tutje njiheni si Mike Adam...por cili është emri juaj i vërtetë?

Taniiii, "Adam" është mbiemri i nënës simë. Ka lidhje me një histori gazmore. Kur gjyshi im erdhi këtu në Amerikë prej Shqipërisë duke kaluar nëpër zyrat e regjistrimit e pyetën për emrin. Ai nuk fliste fare anglisht në atë kohë, por ju përgjigj me Adam. Kur e pyetën për mbiemrin, duke qënë se gjyshi prapë nuk i kuptoi tha prapë Adam. Ndaj në letra emri i tij përfundoi Adam Adam, por mbiemrin e vërtetë e ka pasur Buzi. Të kthehem te pyetja juaj...Kam pasur mbiemrin e babait për një kohë, por ai u largua kur unë isha tre vjeç, pastaj mamaja u rimartua. Njerku është me origjinë italiane dhe ne mbajtëm mbiemrin e tij Garofalo. Ndërsa Mike është shkurt për Michael.

Ju keni një program të ri radiofonik,  në një qytet të ri - Filadelfia, një program të ri televiziv dhe një emër të ri. Si po ju pëlqejnë ndryshimet?

Po më pëlqejnë jashtëzakonisht shumë! Definitivisht kam marrë të gjitha hapat në drejtimin e duhur që do më ndihmojnë të vazhdoj të rritem profesionalisht dhe të arrij në nivele të reja. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Q102 dhe PHL17 këtu në Filadelfia (stacion radioje dhe tv). Eshtë një rastësi e bukur se Q102 është në pronësi të Clear Channel që ka nën pronësi dhe stacionin për të cilin punoja në Konektiket (Kiss 95.7) ndërsa PHL17 është nën pronësi të Tribune Broadcasting...e njëjta kompani që ka WCCT-TV "The CW", kanalin ku punoja në Konektiket.

Ju kisha pare në CW, por nuk e dija që ishit shqiptar derisa e treguat në intervistën me Rita Orën, çka ishte dhe një surprizë e këndshme...

Jep! 100% shqiptar! Me shqiponjën dy krenarëshe tatuazh në gjoks e gjithë të tjerat hahaha. Ne shqiptarët, jemi shumë krenar për kulturën tonë.

A e pe Ritën tek "Cloud 9" në Hartford (klub)? Unë isha aty dhe më impresionoi. Bëri një punë shumë të mirë dhe pse kishtë udhëtuar e promovuar në qytete të ndryshme gjatë gjithë javës.

Nuk e pashë tek "Cloud 9" por në klubin "Sin City" në Uoterbëri (Waterbury, CT)  që ishtë çmenduri, sepse komuniteti shqiptar është shumë i madh në atë qytet dhe ti e di që ne gjithmonë vijmë për ti mbështetur njerzit tanë. Ishte një natë e jashtëzakonshme! Bëri namin! Rita është e mrekullueshme!

Kur filluat të punonit në televizion dhe radio e sa kohë keni që ushtroni profesionin e moderatorit?


Në radio kam filluar në 2005 dhe në televizion më duket rreth 2010. Si të thuash njëra pasoi tjetrën dhe kam qënë i bekuar kur vjen puna tek karriera.

Ju gjithashtu keni publikuar dhe disa këngë. Do vazhdoni të merreni me muzikë?


Muzikën e kam shumë pasion dhe kurrë nuk do ta humbas dashurinë për të. Gjithmonë shkruaj tekste të reja apo melodi. Thjesht për momentin gjërat po shkojnë kaq mirë me radion dhe televizionin dhe më duhet të përqëndrohem në këtë drejtim, do të isha budall të veproja ndryshe. Pastaj, kur i isha dedikuar tërësisht muzikës, përpara se të filloja në radio dhe tv, shpesh herë pothuajse arrita të nënshkruaja kontratë me disa shtëpi të mëdha diskografike...dhe ajo eksperiencë më ka zhgënjyer shumë nga mënyra sesi funksionojnë punët e brendshme në atë biznes. Kur vjen puna për muzikën, unë dua të publikoj çfarë dua, kur dua dhe siç e dua...por nuk funksionon kështu kur kompanitë dhe menaxherët përfshihen në proçes hahaha.

Ka shumë artist shqiptarë në Amerikë që po njohin sukses, përveç Rita Orës ,Action Bronson,JMSN,G4SHI,Njomza etj a njihni apo keni takuar ndonjë tjetër për të cilëin ne nuk dimë gjë akoma?

Bleona! Mos e harroni! E duaaaa shumë! Nuk e kam takuar akoma, por shpresoj së shpejti. Muzika e saj sapo ka filluar të njihet në Amerikë le të shohim sesi do ta presin.

Ju njiheni për refuzimin që i bëni kërkesave të dëgjuesve ne radio, për këngë që nuk ju pëlqejnë. Tregohesh pak i keq por është dhe shumë për të qeshur nga mënyrë sesi e bën. Të ka krijuar probleme një veprim i tillë, ndonjë telefonatë nga menaxherët apo këngëtarët?

Tregohem i keq vetëm me kalamajt që marrin papushim teksa mblidhen me shoqet për të kaluar natën në festat e tyre vapik thithse lol dhe kërkojnë këngë pop të artistëve adoleshentë që publikohen dy orë para emisionit. Çfarë njerzit nuk kuptojnë është se, në një radio top-40, DJ nuk lejohet të luaj çfarë ti dojë qefi. Lista jonë e këngëve seleksionohet nga drejtori i programacionit bazuar në statistika e anketa të shumta. Plus që e bëj për radio se nuk jam i keq në jetën e përditshme...ndoshta.

Cila është kënga që kurrë nuk do ta luaje në programin tënd?

Çdo këngë që bosi im nuk do donte.

Nga artistët që ke intervistuar cili ishte më i vështiri e cili më i rehatshmi për të biseduar?

Mendoj se me artistët që ke diçka të përbashkët e ke dhe më të lehtë të bisedosh. Për mua, Rita Ora, Olly Murs ndoshta sepse dhe ai ka punuar në tv, por njëkohësisht dhe artistë të cilët i ke intervistuar disa herë, sepse të mbajnë mend dhe mund ta vazhdosh bisedën aty ku e ke lënë herën e fundit.  Në lidhje me të vështirët nuk di, besoj ne të gjithë jemi pak të tillë apo jo? Po ta mendosh, intervistat vetë janë pak të tilla POR, Rick Ross dhe Jadakiss ishin të ulët. Ja ti thashë të palarat ahahahaha.


Çfarë prisni nga e ardhmja? A duhet ti dërgojmë një email Ryan Seacrest që të ketë kujdes?

Ryan është shembull! Ai krijoi skemën për tu ndjekur. Që të arrij në të njëjtën fushë loje si dhe ai, padyshim që është qëllimi im...ndaj të shohim. Çudi që e përmende, sepse në fakt unë sapo kam filluar të punoj me fondacionin e tij në spitalin e fëmijve këtu ne Filadelfia.

Kur e keni vizituar për herë të fundit Shqipërinë? Keni ndonjë plan për tu kthyer në të ardhmen?

Nuk kam qënë asnjëherë në Shqipëri! Çmenduri apo jo? Gjyshrit e mi erdhën në Amerikë nga atdheu i tyre dhe unë kam dashur shumë ta vizitoj, sidomos sepse kam të afërm aty,por problemi është se punoj jashtëzakonisht shumë! Një dit veç...do shkoj padyshim dhe do marr mamanë me vete!

Përgatiti Elbino
Revista Albaniac 2013

KLIKO KETU PER TE LEXUAR/SHKARKUAR FALAS REVISTEN ALABANIAC

No comments

Note: Only a member of this blog may post a comment.

Powered by Blogger.