Header Ads

Vildane Zeneli do pushtoje boten dhe mendjen tuaj.A jeni gati? - Interviste


Bëhet gati të pushtojë botën.Pas karrierës si modele, ajo tenton tregun muzikor botëror. Ka lidhur një kontratë me Interscope. Ka realizuar dy video që priten të publikohen së shpejti. Këngë me Will.I.Am, Soulja Boy,LMFAO etj. A jeni gati të dorëzoheni?

Elbino: Përshëndetje Vildane! Si po ja kaloni? Di që jeni e zënë me regjistrimin e albumit tuaj debutues. Si ju shkojnë punët?

Vildane: Përshëndetje Elbino! Shumë mirë po ja kaloj, faleminderit! E vërtetë! Kam qënë shumë e zënë me regjistrimin e albumit muzikor dhe gjithçka po shkon përsëmbari. Ndërkohë po udhëtoj tërë kohës midis Nju Jorkut dhe Los Anxhelesit, sepse jemi duke regjistruar shumë, shumë këngë.

Kam vënë re në profilin tuaj në Twitter ( Po! Ju kam përgjuar!) se keni përmendur disa emra të njohur në muzikë me të cilët po bashkpunoni në këtë album. A mund të na tregoni diçka më specifike?

Kam bashkpunuar më shumë artistë të mëdhenj dhe jam më shumë se e lumtur për këtë, sepse shumica e këtyre bashkpunimeve ndodhën në mënyrë të rastësishme. Teksa isha në studio të "Interscope", duke regjistruar një këngë me producentin tim, ndodhte që ndonjë artist të gjendej në studion tjetër, dëgjonte këngën time, pastaj nga kurioziteti vinin të dëgjonin një apo dy këngë të miat dhe BAM! Pesë minuta më vonë kërkonin të regjistronim një këngë së bashku. Producenti im luante ndonjë muzikë të re, ne fillonim të shkruanim, regjistronim dhe diçka magjike fillonte të ndodhte. Kam një këngë me Will.I.Am të Black Eyed Peas, të cilën ai e kompozoi për mua, kam një këngë me Soulja Boy që është fantastik, e ka shumë mundësi një këngë me LMFAO, Big Sean, etj.

A keni ndonjë datë të caktuar për publikimin e këtij albumi ose titullin e tij?

Nuk kemi ende një datë për momentin, gjithashtu as titulli i albumit nuk është vendosur. Vazhdojmë ende të regjistrojmë kaq shumë këngë saqë sa herë themi që "Kjo është kënga e parë që do publikojmë", regjistrojmë një tjetër këngë që na pëlqen më shumë dhe nuk po vendosim dot, sepse të gjitha këngët tingëllojnë të mrekullueshme. Kam një parandjenjë që kënga e Will.I.Am do të jetë singla e parë nga ky album dhe do të publikohet së shpejti. Për këtë ju premtoj.


Ndërkohë ju kishit në plan të publikonit "Dance Me" për të cilën xhiruat dhe një video. Unë pashë disa nga imazhet dhe mu duk super! Po ajo kur do të dalë?

Në fakt ne xhiruam një video për "Dance Me". Ajo është një këngë pop-dance, por shtëpia diskografike vendosi që kënga e Will.I.Am të dali si singla e parë, sepse është një këngë më e guximshme dhe ka një mesazh shumë të fortë e të rëndësishëm dhe më jep mundësinë për tu prezantuar si një artiste e vërtetë. "Dance Me" do të publikohet pak më vonë.

Ju keni xhiruar dhe video të tjera muzikore për artistë të njohur si përshembull "All Tied Up" të Robin Thicke. Po tani që po xhironi videon tuaj muzikore si u ndjetë?

Po, unë kam marrë pjesë në videon muzikore "All Tied Up" të Robin Thicke si protagoniste, gjithashtu kam xhiruar dhe "Pass at Me" të Timberland me Pitbull dhe David Guetta. Në të dyja rastet ishte diçka shumë e bukur, por për videon time ndjenjat ishin më speciale, më të ndryshme. Na u deshën dy ditë për të xhiruar "Dance Me" në dy vende të ndryshme në Los Anxheles. Puna është e madhe, por sidomos ishte vështirë për mua të këndoja dhe të përqëndrohesha në kamera në të njëjtën kohë. Harroja që tani jam dhe këngëtarja e jo vetëm modelja në video, puna e të cilës është thjesht të pozojë për kamerën. Tani më duhej që të këndoja dhe të dukesha e besueshme për publikun që do e shikoj dhe dëgjoj këngën time. Ishte një eksperiencë e parë shumë e bukur, por jam e sigurt që do mësohem e përmirsohem me kalimin e kohës duke qënë se do xhiroj dhe shumë video të tjera.

Çfarë tingulli do ketë albumi juaj i parë? Cilës gjini muzikore do ti përkasë?

Oh Zot! Nuk mund të gjej dot vetëm një fjalë për ta përshkruar, por do ketë shumë variacione. Do ketë pak nga gjithçka, si me thënë unë përzgjodha ato këngë e melodi që më pëlqyen e mu dukën të përshtatshme për mua.

A do ketë ndonjë këngë në shqip ose sikur dhe vetë një pjesë të një këngë?

Për momentin, ky album do të jetë i gjithi në anglisht, por ndoshta në të ardhmen do të bëj dhe një këngë shqip.

Deri më sot, ju njiheni për punën tuaj si modele dhe ju keni kryer disa punë fantastike e keni punuar per disa arstistë të mrekullueshëm. Si ju zbuluan dhe si arritët të keni suksesin që keni sot?


Unë u zbulova në plazh nga një agjent i agjensis të modeleve "Wilhemina" (një prej agjensive të modës më të njohura në Amerikë e botë). Fillimisht e nisa si një hobi, por më pas u kthye në një profesion. Kam punuar shumë fortë. Ndihem e dashuruar me punën time dhe përpiqem të jap më të mirën pasi gjithmonë jam mbështetur nga një grup pune shumë i mirë. Karriera ime si modele arriti një nivel komplet tjetër, kur më prezantuan me dy prej fotografëve më të mirë në botë Peter Beard dhe Raphael Mazzucco të cilët njihen për punët e tyre të famshme me "Victoria Seceret", "Sports Illustrated", "Pirelli Calendar", "Guess" etj dhe disa prej modeleve më të njohura në botë të të gjitha kohrave. Ata patën aq besim tek unë sa më ndihmuan të merrja pjesë në shumë projekte e më referuan tek shumë prej klientëve të tyre, më ndryshuan jetën! Raphael Mazzucco ndryshoi karrierën time nga një modele normale në atë të një supermodeleje dhe e dua këtë përson deri në vdekje! Ai është i familjes për mua, është si vëllai im i madh!


Kur pashë sesionin tuaj fotografik për librin "Culo" të Mazzucco më ra të fikët! Hahahahahaha! Sa shpesh i dëgjoni këto fjalë? Fotografi fantastike, seksi, të bukura thjesht uau!
Ai libër ishte shumë artistik dhe nëse do të bëni një kërkim rreth Raphael Mazzucco do të shikoni se ai nuk është thjesht një prej fotografëve, por dhe një prej artistëve më të mirë në botë. Femrat më të bukura në botë janë fotografuar për këtë libër. Supozohet që të dërgoj mesazhin që femrat me një figurë të plotë janë të shëndetshme e tërheqse e jo modelet e holla që ngordhin urije vetëm për tu përshtatur në të ashtuquajturën botën e modës së lartë. Disa prej emrave më të njohur të botës artistike si Lady Gaga, Fergie, Nicole Scherzinger, Sara Mclachlan, Stacy Keibler, Pamela Anderson, Kate Upton, Christine Teigen, Irina Shayk, Nicole Trunfio, modelet e Victoria Secret, Alessandra Ambrosio, Bianca Balti, Jessica White, Melissa Satta, Dominique Piek etj. Fotot e mia janë më të preferuarat në këtë libër deri tani dhe unë jam e vetmja që kam dhjetë foto në këtë libër i cili shoqërohet dhe me një poster të madh timin. Gjithashtu unë kam dhënë ndihmesën time në editimin e këtij libri, në përzgjedhjen e fotografive. Nëse keni blerë librin do shikoni që Raphael më ka falenderuar për kontributin e dhënë, çka është dhe një nder shumë i madh për mua.

Ju gjithashtu keni dhe një prej fytyrave më të njohura në Amerikë falë punës suaj për produktet aq të popullizuara "Beats By Dr.Dre". A kanë filluar të ju njohin njerzit në rrugë apo t'ju thonë "Hej! Ju jeni ajo vajza nga..." ?

Shumë e drejtë! Unë jam e vetmja vajzë që ka qënë imazhi i "Beats By Dre" për katër vjet rradhazi dhe ka shitur më shumë se pesë milion prodhime me foton time në seicilën prej tyre, si dhe realizuese e fushatës publicitare. Po, shpesh herë më njohin nga reklamat dhe nga profili. Kjo është një ndjenjë e mahnitshme, të qënit pjesë e një produkti kaq të njohur që nga dita në ditë përhapet në mbarë botën. Më duket fantastike kur mendoj se çdo atlet, çdo këngëtar, aktor, e figura të njohura në botë kanë në shtëpitë e tyre kufje të Dr.Dre dhe fotografinë time së bashku me to.

Kam vënë re që jeni shumë e lidhur me familjen. Po ata çfarë mendojnë për suksesin tuaj?

Jam shumë e lidhur me familjen time, familja është gjithçka për mua! Nuk mund të bëj asgjë pa familjen time! I dua për vdekje! Janë të mrekullueshëm e mbështetës të punës sime. Janë krenarë për mua dhe për faktin që asnjëherë nuk dorzohem, por gjithmonë synoj për gjëra më të mëdhaja.

Teksa ne mezi po presim publikimin e këngës së parë, deshëm dhe të dinim nëse do vini të promovoni albumin në Shqipëri apo ndoshta dhe të mbani një koncert atje?

Fillimisht, këngët do të publikohen në Amerikë, por do të ishte një ëndërr  që të vija në vendlindjen time dhe të ndaja muzikën time me fansat shqiptarë të cilët i duan vërtet shumë.

Albaniac 02/2013

KLIKONI KETU PER TE LEXUAR/SHKARKUAR FALAS REVISTEN ALBANIAC

No comments

Note: Only a member of this blog may post a comment.

Powered by Blogger.