Blac Ivy - Shqiptaret nga Suedia qe po vendosin trende nderkombetare ne mode


Kësaj radhe do të ndalemi te fusha e modës, ku një grup të rinjsh, i përbërë prej dy shqiptarëve Ylber Mehmeti, Veton Gramozi dhe një suedez Varges Khndirian kanë nisur rrugën drejt suksesit, për të futur një linjë  të re të modës në të gjithë botën. Kohë  më parë, me një interes të përbashkët, treshja nisi krijimin e linjës së veshjeve, dhe jo vetëm  kaq, vendosi të zhytet edhe më thellë, kështu për të investuar në ëndrrën e tyre të madhe,  për t’i kthyer kreacionet e tyre në një markë me emrin “Blac Ivy”. Të fokusuar në një cilësi të lartë të modës, inspirimi i kreacioneve vjen nga stili i tyre personal, me ndikime të rrugës dhe modës urbane.
Njëri prej krijuesve të kësaj linje të veshjes, Ylber Mehmeti, për emisionin “Express” ka bërë të ditur se veshjet “Blac Ivy” përbëhen prej materialeve poliester, pambuk, bamboo dhe lëkurë origjinale, kështu duke i shtuar veshjeve një pamje luksoze në kuptimin e modës. Fillimisht, veshjet e tyre nisën të shiten në vendin ku jetojnë në Jonkoping në Suedi, e më pas edhe në Stocholm, kështu për t’u bërë të kërkuara edhe prej shumë personazhe të njohura të skenës suedeze. Disa nga këngëtarët më në zë në Suedi, tashmë kanë zgjedhur veshjet “Blac Ivy” t’i veshin gjatë koncerteve në Suedi. Por nuk është vetëm Suedia,linja e veshjeve “ Blac Ivy” të krijuar nga  Ylberi, Vetoni dhe Varges kanë depërtuar edhe në shumë vende të tjera të botës si: Kina, Japonia, Australia , Gjermania, Zvicra, Kanadaja, SHBA, Franca, Danimarka , Norvegjia etj. I gjithë ky projekt i të rinjve shqiptarë dhe suedezë ka marrë reagime të mira si nga mediat, po ashtu edhe klientët. Për punën e tyre dhe linjën e veshjeve është shkruar në shumë revista të njohura në vende të ndryshme të botës, e sidomos nga ato suedeze. “Ylber Mehmeti, Vardges Khndirian dhe Veton Gramozi besojnë në veten e tyre 100 për qind dhe shpresojnë që nëpërmjet linjës së re të veshjeve mund të ndryshojnë pamje te suedezët, kështu për të  sjellë  një prirje të re të cilësisë së lartë të modës”, kanë shkruar disa nga  revistat në Suedi. 
“Blac Ivy “ tashmë ka edhe uebfaqen  www.blacivy.com, ku mund të informoheni për të gjitha veshjet, por edhe të bleni online. Ylber Mehmeti dhe Veton Gramozi që në moshë të vogël, si shumë shqiptarë të tjerë, emigruan me familjet e tyre në Suedi dhe tani janë bërë më shumë se 20 vjet që jetojnë atje.

Pergatitit: Kaltrina Haziri 



No comments

Note: Only a member of this blog may post a comment.

Powered by Blogger.