Tartufi i Gjilanit
Për një natë të vetme në Teatrin Kombëtar të Tiranës u shfaq “Tartufi” (Molier) me regji të Qëndrim Rijanit, e cila ishte një prej shfaqjeve teatrale më të mira që kemi parë në një kohë të gjatë. Dukej qartë që në sekondat e para, që çdo sekondë e shfaqjes ishte menduar deri në detaje dhe për asnjë çast nuk e la spektatorin ti shuhej vëmendja. Çdo skenë, çdo lëvizje ishte një gjetje më vete, qoftë në përshtatjen e pjesës teatrale në kohët e sotme, nga komedia në dramë, qoftë në skenografi, koreografi, në interpretim apo edhe duke e bërë publikun pjesë të shfaqjes. Një prej elementëve që na pëlqeu më shumë, ishte fakti që seicilit prej aktorëve ju dha momenti i tyre, për të shfaqur talentin interpretues. E të gjithë ishin fantastik! Megjithatë, megjithatë ne nuk mund të lëmë pa veçuar aktoren Tringa Hasani, e cila dukej qartë që e dinte se kjo shfaqje ishte “adaptuar” tamam për të dhe ajo këtë natë dha 1000% prej talentit të saj. Thjesht fantastike! Interpretimi, mbizotërimi skenik, dominimi ndaj spektatorit…Tringa, shkurt e shqip tha “Ky është Tartufi im!” dhe deri në fund ju provoi të gjithve se kishte më shumë se të drejtë.
Teatri i Gjilanit shfaqjen e parë e ka vënë në skenë në vitin 1944 dhe që prej vitit 2001 operon si teatër profesionist.
Regjizori Qëndrim Rijani ka vënë në skenë mbi 25 shfaqje teatrale, më e fundit prej të cilave është “Fundërrinat” e Maksim Gorkit në Teatrin Popullor të Manastirit. Ai është vlersuar me disa çmime në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri për regjinë dhe pjesët teatrale si “Moisiu”, “Milingona e arte”, “Akademia Kult”, “Vojdan Chedondrinski” si dhe nga Ministria e Kulturës se Republikës së Kosovës dhe Presidenca e Maqedonisë së veriut.
Tartufi
Premiere: Dhjetor 2023 (Teatri i Gjilanit)
Regjia: Qëndrim Rijani
Interpretues: Kushtrim Qerimi, Ernest Zymberi, Tringa Hasani, Aurita Agushi, Gani Rrahmani, Flaka Latifi, Avni Shkodra, Mejreme Berisha, Alban Shahiqi, Florent Salihu.
Post a Comment