Albina Këlmendi publikon albumin “Rrugë me nota”






Përfaqsuesja e Shqipërisë në Eurovision 2023 Albina Këlmendi, sapo ka publikuar albumin e ri “Rrugë me nota”. Ky album është një projekt i veçantë përsa i përket realizimit dhe promovimit, pasi vjen si një paketë e plotë e shoqëruar me një mini dokumentar dhe çdo këngë është realizuar me një videoklip (10 në total). Këngët mund ti dëgjoni në Spotify e videot/dokumentarin në YouTube. Në 2015 ne në Albaniac e kemi cilësuar debutimin “Ëndrrën mos ma merr” të Albinës, si këngën më të mirë të vitit dhe na vjen mirë që afro një dekadë më pas ajo jo vetëm vazhdon të jetë prezente në tregun muzikor, por dhe një prej emrave më të njohur. 



“Rrugë me nota” përbëhet prej dhjetë këngësh, të cilat pavarsisht se pjesë e të njëjtit album i përkasin zhanreve të ndryshme muzikore. “Ftyra jem”, kënga që hap albumin është qartësisht, një dedikim i fillimit të karrierës së këngëtares duke të kujtuar menjëherë “Endrrën mos ma merr”. E nga ritmet rrok kënga e dytë kalon tek ato dance/pop në “A don me u nda”, pop/folk në “Tupana”, baladë patriotike në “Oj Kosovë” etj. Në përgjithësi këngët e këtij albumi janë të mira, por ju mungon elementi “ngjitës”. Duket qartë që Albina ka pasur një vizion të caktuar të cilit i ka qëndruar besnik pa bërë kompromis me atë çka sërviret momentalisht në tregun muzikor. A do të funksionoj? Kjo varet nga dëgjuesi, por janë këngë të cilat kërkojë disa të dëgjuara që të përvetsohen. “Sa të dua” veçohet si kënga më e mundshme për tu shndërruar në hit. “Tupana” është gjithashtu një këngë e bukur, e cila me një remiks të mirë mund të ketë po të njëjtin sukses. Ka diçka në lidhje me produksionin e albumit. Albina ka një zë të fortë të cilin e shfaq në çdo këngë, e ndonjëherë kjo nuk është diçka pozitive, sepse ka këngë në këtë album të cilat kërkonin një vokal më të butë, më të ulët e më harmonik. Gjithesi, është një album i këndshëm që duhet dëgjuar.








No comments

Note: Only a member of this blog may post a comment.

Powered by Blogger.