BANA ZAHITI pëlqen të thyej rregullat. (Intervistë)

 



Duke qenë se e shikoj emrin e saj kudo, më duket sikur Bana Zahiti ka qenë prej një dekade pjesë e skenës dhe harroj që, në fakt, është shumë e re si në moshë, po ashtu dhe në skenën muzikore. Ndoshta dhe sepse gëzon respekt në qarqet artistike, diçka që shumë talenteve (të reja apo me emër) u duhen vite ta fitojnë.

Në bisedën me Albanyac, Bana tregon se qëllimi i saj kryesor është të krijojë muzikë pa tradhtuar vetveten dhe është e hapur kundrejt çdo projekti për sa kohë rezultati është "some dope shit". Deklarata të tilla nuk është hera e parë që i dëgjojmë nga talentet e reja, por Bana, së bashku me një brez të ri artistësh, po bëjnë pikërisht këtë; muzikën e tyre pa kompromis.

Skena lokale në Kosovë ka filluar të përjetojë një rilindje muzikore me artistë të rinj, të cilët jo vetëm po sjellin rryma të reja në Shqipe, por nuk kanë frikë të eksperimentojnë. Në vend që të drejtohen nga publiku, ata po e drejtojnë dëgjuesin drejt hapësirave të reja muzikore, të cilat prej kohësh i kanë munguar tregut apo dhe janë krejtësisht të reja. Nuk e di nëse vetë artistët e kanë kuptuar, por kjo është një nga periudhat më interesante të muzikës në Kosovë dhe fat të jesh pjesë dhe dëshmitar i saj.

 

Bana, përshëndetje! Ku jeni në këto momente dhe me çfarë jeni duke u marrë?

Përshëndetje! Për momentin jam në shtëpi, në Gjermani, më saktësisht në Mannheim. Kam një studio të vogël në oborrin e shtëpisë dhe praktikisht çdo ditë e kaloj kohën aty. Fokusi im kryesor tani është përfundimi i këngës sime të re, e cila quhet “Normal”.

Cilën këngë po luhet më së shumti sot në playlistën tuaj? (Shqiptare ose të huaj.)

Kohët e fundit po e dëgjoj shumë "Consideration" nga Rihanna dhe SZA nga Albumit "ANTI“. Kjo këngë më shoqëron si një lloj himni të pavarësisë sime artistike. Më duket sikur përshkruan ndjenja që vetëm vitet e fundit kam filluar t'i kuptoj dhe, për të qenë e sinqertë, nuk janë ndjenja të lehta. Megjithatë, sa herë e dëgjoj, më jep një lloj fuqie dhe më rikthen në vete.

 

Për ata që ju lexojnë për herë të parë, a mund të na tregoni me pak fjalë se kush është Bana Zahiti brenda dhe jashtë muzikës?

Bana Zahiti është një artiste që gjithmonë ndjek kureshtjen e saj dhe i pëlqen të thyejë rregullat. Për mua, ajo është një kombinim te aneve të mia më të mira dhe personi që gjithmonë kam dashur të bëhem që kur isha fëmijë, ndoshta edhe personi që më duhej të kisha si vajzë e re. Sa i përket Arbanës në jetën private, ajo është pak më e ndjeshme dhe ka tendencën t’i mendojë gjërat më gjatë, ndërsa Bana Zahiti thjesht guxon.

 





Sapo ka dalë “line up” i festivalit Suny Hill dhe për të dytin vit radhazi ju jeni një prej interpretuesve në këtë listë. E shikoni këtë si një farë konfirmimi që karriera juaj është në drejtimin e duhur?

 

Po, absolutisht! Edhe pse nuk dua që rrugëtimin tim si artiste ta përcaktoj vetëm përmes faktorëve të jashtëm, Sunny Hill Festival ka një kuptim shumë të veçantë për mua. Që nga edicioni i parë kam qenë një fanse e këtij festivali dhe madje kam qenë ndër vizitorët e parë. Gjithmonë e kam ndjerë këtë si një hapësirë kulturore ku kreativiteti dhe kënaqësia bashkohen, dhe ku e kam parë veten si fanse, por edhe si artiste. Fakti që ekipi i Sunny Hill Festival më ka ftuar të rikthehem përsëri do të thotë shumë për mua. Falë mbështetjes së tyre, pata gjithashtu mundësinë të përfaqësoj Kosovën për herë të parë në Eurosonic Noorderslag në Holandë në fillim të këtij viti. Nuk dua të bëj vetëm performanca të shkurtra nëpër klube; dua ta sjell muzikën time live, bashkë me bendin tim, në festivale. Ndihem vërtet e nderuar dhe shumë mirënjohëse për besimin dhe mundësitë që më kanë dhënë, si një artiste e re shqiptare që po ndjek vizionin e saj.

 





Ju keni vetëm pak vite që keni debutuar në tregun shqiptar, por menjëherë keni krijuar emër në rrethet artistike të vendit dhe jeni një prej talenteve të reja më të vlerësuara. A ju befasoi ky sukses?

 

Po, sinqerisht më ka befasuar deri diku. Jo sepse nuk kam besuar te vetja apo te puna ime. Ndonjëherë ende e kam të vështirë ta procesoj plotësisht gjithë këtë vlerësim. Para se të bëhesha e dukshme si artiste, kam punuar në izolim të plotë, duke kaluar net të panumërta duke shkruar, prodhuar dhe incizuar muzikë në apartamentin tim të vogël, me shumë pak ose aspak feedback. Mendoj se kjo është një nga arsyet pse ende më befason kur njerëzit lidhen sinqerisht me atë që krijoj. Një arsye tjetër është se në mendjen time jam gjithmonë e fokusuar te hapi tjetër dhe te gjërat që dua ende t’i përmirësoj. Këto ditë shpesh mendoj për një fjali që ma tha një mik para da vitesh: "Po ta dije ku do të përfundosh, do ta shijoje shumë më tepër rrugën deri atje." Mendoj se ka shumë të drejtë.

 

Më pëlqejnë shumë bashkëpunimet e tua me Devqa, La Fazani, Narcizem, bletapërtace… jo vetëm këngët, por dhe përzgjedhja e artistëve, të cilët nuk di nëse mund t'i quaj… por disi “underground”. Nëse do t'ju ofrohej të kompozonit ose këndonit një këngë më komerciale, diçka që do s'do vjen me rritjen e suksesit, a do pranonit?

 

Mendoj se po, do ta pranoja. Në fakt, ka edhe artiste shumë të suksesshme në skenën tonë me të cilat do ta imagjinoja shumë mirë një bashkëpunim dhe do të më pëlqente të krijoja diçka së bashku me to. Deri tani, të gjitha bashkëpunimet e mia kanë ardhur shumë natyrshëm. Jam shumë e lumtur me gjithçka që kemi krijuar deri tani dhe besoj se bashkëpunimi i duhur vjen gjithmonë në kohën e duhur. Në rastin ideal, gjëja më e rëndësishme për mua është të mund të jem vetvetja dhe që artisti me të cilin bashkëpunoj të jetë i hapur për të provuar gjëra të reja dhe për të marrë edhe ndonjë rrezik. Në fund të fundit, dua që bashkë të bëjmë “dope shit” dhe të krijojmë diçka që nxjerr më të mirën nga të dyja palët.

 





Çfarë mendoni për brezin e ri të këngëtarëve shqiptarë si juve, Ereza, Rreze, Sahati, Lubiana, Noriella, që po sjellin një frymë të re muzikore, të cilën nuk di si ta përshkruaj, por një shqiptare e ka bërë, ndaj është cool. 

 

Hahaha, po fiks. Në fakt, ndihem shumë mirënjohëse që jam pjesë e një gjenerate të tillë. Kjo frymë e re nuk ka ardhur rastësisht; është ndërtuar nga secila prej nesh, përmes muzikës dhe vizionit tonë, duke ndjekur atë që besojmë pa bërë kompromise me veten. Sinqerisht, disa vite më parë vetëm shpresoja që muzika shqiptare një ditë të shkonte në këtë drejtim. Më bën shumë të lumtur fakti që sot po shohim gjithnjë e më shumë artiste që po guxojnë të sjellin diçka të tyren dhe të tregojnë historinë e tyre në mënyrën e tyre. Besoj se kjo është shumë e rëndësishme edhe për brezat që vijnë pas nesh, por edhe për pop-kulturën shqiptare.

 





OMG, një bashkëpunim midis jush dhe Erezës do ishte super! A e keni menduar? Na duhet një këngë prej jush.

 

Në fakt kemi folur për këtë para tre vitesh dhe madje kemi shkëmbyer disa ide. Në fund, thjesht nuk u realizua, sepse secila prej nesh ishte në një fazë tjetër të jetës dhe të rrugëtimit të vet artistik. Siç e thashë edhe më parë, unë nuk i detyroj kurrë bashkëpunimet. Besoj shumë që ato duhet të lindin natyrshëm dhe në momentin e duhur. Nëse ndodh një ditë, dua që të jetë sepse kënga e kërkon dhe sepse ndihet e drejtë për të dyja.

 

E duke folur për këngë të reja, ju jeni duke punuar për një album. Kur pritet të publikohet dhe a mund të na tregoni disa nga emrat me të cilët do bashkëpunoni apo ndonjë detaj tjetër rreth tij?

Po, është e vërtetë që jam duke punuar për një album, por në fakt aktualisht jam duke punuar në dy projekte të ndryshme. Këtë vit, pasi reflektova më shumë mbi gjithçka që kam përjetuar gjatë viteve të fundit - mënyrën se si kam kaluar të njëzetat e mia si artiste e re, duke lëvizur mes vendeve dhe kulturave të ndryshme, dhe se si e gjithë kjo ka ndikuar jo vetëm në karrierën time, por edhe në jetën time personale - kuptova që ajo histori meritonte të tregonte veten para albumit tim debutues. Gjatë kësaj kohe kam shkruar mjaftueshëm material për disa projekte dhe vjen një moment kur thjesht nuk mundesh më ta mbash diçka brenda; duhet ta nxjerrësh jashtë. Për fat të keq, gjatë viteve të fundit kam qenë në disa situata ku nuk kam pasur gjithmonë hapësirën dhe lirinë kreative që më duhej për ta publikuar muzikën time ashtu siç e kam imagjinuar. Ai kapitull ka përfunduar dhe për këtë arsye vendosa që fillimisht të publikoj një mixtape.Pjesën kryesore të tracklist-it tashmë e kam kuruar dhe aktualisht jam duke e përfunduar. Mixtape-i është planifikuar të publikohet në fund të këtij viti. Ende jam duke vendosur nëse do të ketë bashkëpunime apo nëse dua ta lë si një rrëfim vetëm timin, por besoj që gjithçka do të vijë natyrshëm. Albumi im debutues gjithashtu ka filluar të marrë formë. Nuk dua të zbuloj shumë ende, sepse pritet të publikohet gjatë vitit të ardhshëm. Ndryshe nga mixtape-i, nuk dua që këtë projekt ta prodhoj ekskluzivisht vetë. Planifikoj të punoj në Berlin dhe në qytete të tjera me producentë që i kam në mendje, disa prej të cilëve janë edhe miq të mirë që i njoh prej vitesh.

 





Ju keni lindur dhe jeni rritur në Gjermani. Jeni munduar apo keni në plane që të debutoni në tregun muzikor gjerman?

Kam filluar të lëviz në skenën muzikore gjermane shumë herët. E njoh shumë mirë atë ambient dhe kam shumë miq e njerëz që më kanë mbështetur ndër vite. Sa i përket muzikës në gjuhën gjermane, jam e hapur. Nëse një këngë e kërkon gjuhën gjermane, pse jo? Madje shumë njerëz nuk e dinë që kënga ime “Dukat” përmban edhe një fjalë në gjermanisht, haha. Megjithatë, nuk e shoh veten domosdoshmërisht duke ndjekur rrugën e një artiste si Nina Chuba, e cila sot po bën gjëra jashtëzakonisht të mëdha në tregun gjerman. E respektoj shumë atë rrugëtim, por qëllimi im nuk është patjetër të bëhem një “German Pop Girl” apo një repere gjermane. Dua thjesht të bëj muzikën time dhe të ndjek atë që më duket e drejtë në atë moment. Fokusi im kryesor do të mbetet muzika në shqip dhe anglisht.

 

A ma e mirë muzika këtu apo atje? 

 

Hahaha, kjo është një pyetje shumë e vështirë, sepse mendoj që nuk mund të krahasohen aq lehtë. Të dyja kulturat muzikore kanë forcat e veta dhe unë jam rritur me të dyja, kështu që i respektoj shumë të dyja. Emocionalisht kam një lidhje shumë të veçantë me muzikën shqiptare, sepse ka qenë gjuha e parë që kam mësuar në këtë jetë. Një gjë që më pëlqen shumë te tregu gjerman është që shpesh underground-i e përcakton tregun kryesor. Kjo krijon shumë hapësirë për stile të ndryshme dhe u jep më shumë mundësi artistëve të rinj që të gjejnë publikun e tyre. Nuk do të thotë që kjo nuk ndodh edhe te ne, por tregu shqiptar për momentin funksionon ndryshe dhe ka ende shumë hapësirë për zhvillim. Por pikërisht kjo është edhe arsyeja pse më duket shumë interesante të jem pjesë e kësaj kohe, ku shumë artistë të rinj po krijojnë rrugë të reja për veten dhe për muzikën shqiptare.

Në pritje të albumit tuaj, duam të dimë se a do ju shohim live në Tiranë këtë vit?

 

Tirana ka një vend shumë të veçantë për mua. Deri tani më ka pritur gjithmonë me shumë dashuri dhe më ka dhënë një energji që më ka motivuar jashtëzakonisht shumë. Prandaj mezi pres të rikthehem dhe ta ndaj muzikën time live me publikun atje për herë të parë. Aktualisht jam duke planifikuar disa headline-shows, dhe një prej tyre do të jetë edhe në Tiranë. Ende nuk mund të jap detaje konkrete për datat, por do të ndodhë rreth periudhës së publikimit të mixtape-it tim.


albanayc.© 07/2026





Powered by Blogger.