Ku Kodi i Punës?




Para disa ditësh, gjatë një vizite në jug, Kryeministri i vendit publikoi një video ku lavdëroheshin pagat prej 1.000 eurosh të kamarierëve në bregdet, duke i krahasuar me ato të Greqisë. Kjo video kishte shumë arsye për t'u diskutuar nga mediat shqiptare, por asnjë nuk e preku thelbin.

Pyetja që Kryeministri duhej t'u kishte bërë kamarierëve, pasi i pyeti për pagën, ishte: Sa orë punoni për atë rrogë?
Të gjithë e dinë se, në shumicën e rasteve, minimumi i kërkuar është 10–12 orë në ditë, për 6–7 ditë në javë. Kjo do të thotë se, në kundërshtim me Kodin e Punës, kamarierët punojnë 60–84 orë në javë për atë pagesë. Pra, praktikisht bëjnë dy orare pune ose 20–44 orë shtesë, ndërkohë që ligji nuk lejon më shumë se 10 orë shtesë në javë për çdo punonjës.
Në këtë rast, ato 1.000 euro përkthehen në një nga pagesat më të ulëta në vend dhe nuk janë aspak të ndryshme nga pagat për pozicione të ngjashme në Tiranë e gjetkë. Madje, janë të nënpaguar, sepse orët shtesë duhet të paguhen me 25–50% mbi pagën normale. Por kjo nuk ndodh.
Dhe ky fenomen nuk kufizohet vetëm në bregdet. Ai haset pothuajse në çdo ofertë pune në sektorin privat në Shqipëri, ku kërkohet hapur të punohet 8–9 orë në ditë, për 6 ditë në javë, duke qenë në kundërshtim me ligjin.
Ndërkohë, televizionet shqiptare, në vend që të flasin për Shqipërinë, raportojnë se si vende si Danimarka dhe Suedia po testojnë me sukses javën katërditore të punës. Çfarë ironie!
E ngremë këtë problem me shpresën që si punëdhënësit, ashtu edhe shteti, të kuptojnë se mungesa e fuqisë punëtore në vend nuk vjen sepse njerëzit nuk duan të punojnë, por sepse shfrytëzohen në maksimum dhe nuk paguhen sa duhet.
Kjo është një situatë që duhet të rregullohet përpara se të jetë vonë, sepse, siç po shihet nga viti në vit, gjetja e punëtorëve sezonalë po bëhet gjithnjë e më problematike dhe do të jetë edhe më shumë nëse Shqipëria bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
Powered by Blogger.