A është Troja Bicurri eksporti shqptar i rradhës në tregun ndërkombëtar?
Troja Bicurri ka dëshmuar se është një nga talentet më premtuese të brezit të ri në industrinë e muzikës shqiptare. E rritur në një familje me rrënjë të thella artistike, ajo e nisi rrugëtimin e saj publik përmes bashkëpunimeve dhe interpretimeve unike, ku spikati projekti "Rrugë" në kuadër të "Beko&Friends", i cili shpërfaqi për herë të parë pjekurinë e saj vokale. Krahas kësaj, Troja ka mahnitur nëpër interpretime të ndryshme live me krijime origjinale si kënga e ndjerë "Maybe", përpara se të kulmonte në Festivalin e Këngës në RTK, të pagëzuar si “Akordet e Kosovës 2026”. Aty, në moshën vetëm 15-vjeçare, ajo korri një sukses historik duke u shpallur fituesja më e re në moshë e kategorisë së të rriturve me këngën "Mali dhe Hana", të cilën e shkroi dhe e kompozoi vetë.
Ajo që e dallon Trojën nga artistët e tjerë të skenës aktuale është profili i saj si një kantautore e kompletuar dhe tejet autentike, duke zotëruar një kontroll vokal mbresëlënës dhe një stil unik që i kalon kufijtë e pop-it komercial. Ky kombinim mes ndjeshmërisë artistike dhe saktësisë interpretuese krijon një identitet muzikor që përshtatet lehtësisht me tregun global, duke mbartur një frymë perëndimore të ndërthurur me një veshje mistike ballkanike. Këngët e saj organike, meloditë melankolike dhe aftësia për të performuar në disa gjuhë rrisin ndjeshëm potencialin e saj për të depërtuar jashtë kufijve. Me një pjekuri të tillë në skenë dhe në krijimtari, Troja Bicurri ka padyshim të gjitha premisat dhe elementet e duhura për t'u shndërruar në eksportin e radhës të muzikës shqiptare në tregun ndërkombëtar.

Post a Comment