Legjenda e Bastunit





Legjenda e Bastunit është një film që tregon për jetën dhe marrëdhëniet e dy vëllezërve para/pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri dhe shtrihet deri në ardhjen e demokracisë në vënd. Linja e marrëdhënieve të tyre është pak a shumë një simbolizëm paralel me atë të Keinit dhe Abelit. Njëri prej vëllezërve Çesk (Amri Hasanlliu), më i preferuari, bëhet murg e largohet nga shtëpia, tjetri Jak (Amos Muji Zaharia) trazavaçi, lihet pas për tu kujdesur për familjen. Xhelozia midis dy vëllezërve është e dukshme që prej fillimit dhe bëhet më evidente me ndryshimin e sistemeve, por në fund dashuria vëllazërore mbizotëron mbi xhelozinë e krijuar nga sistemi shoqëror. Kjo marrëdhënie e vëllezërve, rrotullohet rreth legjendës së bastunit e cila shërben si një objekt ndërlidhës i historive të  personazheve të tjera të filmit me historinë e vëllezërve. Në plan të parë realizimi kinematografik i filmit më kujtoi “Tragjedinë e Makbethit” (Apple TV+), që po e them për kompliment, pasi në përgjithësi filmi ishte realizuar shumë mirë. Aktrimi gjithashtu ishte super, pavarsisht teatralizmit të theksuar të aktorëve shqiptar. Ai që spikaste këtu ishte Amos Muji Zaharia i cili vërtet sillte një interpretim shumë të mirë dhe them që është ndoshta aktori më i mirë kinematografik i brezit të ri. Më ka pëlqyer shumë. 



Amos Muji Zaharia


Është një film i bukur dhe që duhet ndjekur, por në të njëjtën kohë është për një audiencë të caktuar pasi anon më tepër nga ana artistike. Shumë skena filmike janë të stërrzgjatura pa qënë nevoja e disa herë të duken më tepër si pjesë videoje muzikore sesa filmi. Disa të tjera (si varrimi i babait) që duhet të ishin më të forta, anashkalohen si dytësore. Në anën tjetër ka disa gabime të vogla teknike si përshembull emërimi në anglisht i disa roleve të grupit realizues apo disa ide që i kemi parë dhe në filma të tjerë, por problemi më i madh i filmit është dialekti. Filmi zhvillohet në Shkodër, por se kush kishte dialekt shkodran këtu, nuk u mor vesh. Po flasim dhe për Shkodrën e paraluftës ok? Nejse, rëndësi ka që ky prodhim ishte në përgjithësi cilësor, i veçantë dhe një prej më të mirëve të viteve të fundit.


Legjenda e Bastunit


Regjia: Xhoslin Rama

Skenari: Mihal Rama, Xhoslin Rama

Në role: Amos Muji Zaharia, Amri Hasanlliu, Ndriçim Xhepa, Vin Bejleri, Nikoll Prendi, David Paze, Emel Braçja, Doris Murati, Dalvin Qyteza, Ergys Çekrezi, Klodjana Keco etj.  





No comments

Note: Only a member of this blog may post a comment.

Powered by Blogger.