A do dëgjohen fyejt shqiptarë në OSKAR?
Një nga tingujt më të vjetër të muzikës shqiptare mund të jetë shumë pranë skenës më të madhe të kinemasë botërore. Fyelli shqiptar, i regjistruar posaçërisht në Shqipëri për kolonën zanore të “The Odyssey” të Christopher Nolan, është bërë pjesë e një prej projekteve më të mëdha kinematografike të viteve të fundit. Kompozitori Ludwig Göransson, fitues i Oskarit, ka udhëtuar në Shqipëri për të regjistruar tinguj tradicionalë që i japin filmit një identitet të veçantë muzikor.
Suksesi dhe vëmendja që ka marrë kolona zanore e kanë rritur ndjeshëm mundësinë që muzika e filmit të jetë pjesë e garës për Oscar për Best Original Score. Dhe nëse “The Odyssey” arrin deri te nominimet, atëherë bashkë me të mund të hyjë në skenën e Oskarëve edhe një tingull që për dekada ka jetuar në malet dhe fshatrat shqiptare.
Për Shqipërinë do të ishte një moment i jashtëzakonshëm: jo thjesht një artist shqiptar në tapetin e kuq, por fyelli shqiptar në sfondin e ceremonisë më të famshme të filmit në botë. Një tingull tradicional, i marrë nga jugu i Shqipërisë dhe i vendosur në një produksion gjigant të Hollywood-it, mund të bëhet kështu pjesë e historisë së Oskarëve.

Post a Comment