Festivali i Këngës i thotë JO Intiligjencës Artificiale. A është IA në dhomë me ne? lol




Festivali i Këngës përgatitet për edicionin e 65-të, me rregulla të reja dhe një vendim që ka tërhequr vëmendjen: ndalimin e përdorimit të Inteligjencës Artificiale në krijimin dhe prodhimin e këngëve konkurruese. Aplikimet janë të hapura për artistë dhe autorë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, ndërsa këngët duhet të jenë krijime origjinale. Por ky rregull ngre edhe disa pikëpyetje interesante. Kush ka konkurruar ndonjëherë me AI në Festivalin e Këngës që RTSH qenka kaq i shqetësuar? Të gjitha këngët e Festivalit interpretohen live të shoqëruara nga Orkestra e RTSH-së, ndaj ideja e një këngëje të prodhuar artificialisht që më pas duhet të përkthehet në një performancë live duket disi kontradiktore. Dhe nëse një autor përdor, për shembull, AI për të ndihmuar me tekstin, si do ta kuptojë RTSH këtë? A do të ketë një sistem kontrolli? Apo thjesht do të mbështetet te deklarimi i artistit? Në këtë kuptim, ndalimi i AI-së duket më shumë si një deklaratë në ajër dhe një stunt për të treguar se Festivali mbron krijimtarinë njerëzore, sesa një kërcënim real ndaj integritetit të konkurrimit, sepse problemi nuk është nëse dikush ka përdorur AI për një ide, një varg apo një element të produksionit; pyetja është se sa prej këngës përfundimtare është krijuar realisht nga njeriu. Ndërkohë, emri i Elvana Gjatës mund të jetë rikthyer në aludime për një pjesëmarrje të mundshme. Por, pavarësisht këtyre zërave, një rikthim i saj këtë vit do të ishte ndoshta një gabim strategjik. Pas mënyrës se si u trajtua herën e fundit me “Karnaval”, rikthimi kaq shpejt në të njëjtën skenë do ta ekspozonte sërish ndaj një gare dhe një sistemi votimi që tashmë i ka dhënë një përgjigje. Për një artiste në nivelin e Elvanës, ndoshta është më e zgjuar të ecë përpara sesa të rikthehet për të korrigjuar një rezultat të së kaluarës. Fest 65 sapo ka nisur rrugëtimin. Dhe përveç pyetjes “kush do të konkurrojë?”, këtë vit do të kemi edhe një tjetër: a do të jetë beteja kundër AI-së një ndryshim real i rregullave apo thjesht një mënyrë për ta bërë Festivalin të duket më relevant në epokën e Inteligjencës Artificiale? 

Powered by Blogger.