IKONIKJA - ODA HALITI (Intervistë)

 




Unë gjithmonë e bëj të ditur se kemi artistë shumë të mirë. Jo thjesht, të mirë në krahasim me tregun shqiptar, por të mirë në krahasim me tregun botëror. Pavarësisht se në Shqipe kanë dëshirë t’i nënzhvlerësojnë, si dikush që ka jetuar afro tre dekada jashtë dhe është marrë në mënyrë konstante me tregun muzikor, besoj se jam më shumë se i aftë për të dhënë këtë vlerësim. E vetmja gjë që u mungon artistëve tanë është origjinaliteti. Mungesa e një biznesi të mirëfilltë muzikor, shtëpive diskografike dhe menaxhuese, dëshira për t’u paralelizuar me trendet botërore, mungesa e edukimit profesional, janë disa prej elementeve që kanë shkaktuar këtë. Oda Haliti, është një ndër të paktët artistë shqiptarë që spikasin me origjinalitetin e tyre. Në çdo aspekt të profilit të saj profesional Oda është thjesht Oda, ikonike dhe e pakrahasueshme. Më e suksesshmja DJ shqiptare tregon se kurrë nuk ka pasur për qëllim të bëhet DJ, por DJ-ing e gjeti atë. E ne jemi mëse të lumtur që kjo ndodhi. Jeta e saj si personale dhe profesionale është e mbushur me detaje epike. Në moshën 23 vjeçare Oda ishte e para femër pronare e një lokali në Prishtinë, për të cilin luftoi ta mbajë hapur edhe pse është gjobitur vazhdimisht vetëm sepse ishte femër. Në një kohë kur në Prishtinë rinia kishte etje për hapësira ku të defrehej e ndihej e sigurtë dhe e paparagjykuar, “Gegë” lokali i saj, ofronte pikërisht këtë mikpritje. Ishin kohë kur muzikantët, artistët mblidheshin bashkë, e në mënyrë indirekte shkëmbenin e përjetonin eksperienca të cilat, si rezultat, kanë krijimin e një artisti dhe personaliteti origjinal. Sepse, në fund të fundit, çdo krijim artistik është personal, e nëse nuk ke jetuar mjaftueshëm, nuk ke çfarë të japësh nga vetja e do përgjithësosh artin tënd, çka e shohim më shumë sesa kemi nevojë këto ditë. Nga eventet artistike e festivalet muzikore (Berlin Beats), bienalet kontemporane të artit (Autostrada Biennale, Manifesta Biennial x Hapësira ), panairet e artit (Art Basel), muzeumet (Weltmuseum, Kunstgewerbemuseum), eventet e modës (Berlin Fashion Week) apo klubeve më të njohura në botë (Berghain), Oda ka krijuar jo thjesht një karrierë të larmishme, por një figurë artistike e cila e bën atë ICONIC!

 Fotografia: Fioralba Kryemadhi

 

  



Ku gjendeni në këto momente dhe me çfarë jeni duke u marrë?

 

Për momentin jam në Berlin. Kryesisht në studio, duke punuar në produksione të reja dhe duke u marrë me ato detaje të vogla që zakonisht askush nuk i vëren, por që në fund bëjnë diferencën. Gjithashtu duke organizuar, përmbyllur përgatitjet për turneun e vitit 2026.


Ju e keni filluar përfshirjen tuaj në muzikë si hobi, por rreth 15 vjet më vonë jeni definitivisht DJ-ja shqiptare më e suksesshme. Cilat kanë qenë momentet më të rëndësishme të këtij 15-vjeçari në karrierën tuaj?

 

Faleminderit shumë për vlerësimin. Duke qënë se jam aktive prej 15 vitesh, është vertetë e vështirë t’i ndaj momentet “më të rëndësishme”, sepse kanë qenë shumë dhe secili ka ardhur në kohën e vet.
Megjithatë, disa performanca që realisht i kanë dhënë shtysë dhe promovimi ndërkombëtar të punës sime janë padyshim: Art Basel (Nordstern), Berghain, Hamburger Bahnhof – Berlin Beats, Boiler Room, Manifesta Biennial x Hapësira, St. Aegidien Church, Berlin Fashion Week, Weltmuseum, Kunstgewerbemuseum etj. Më pëlqen fakti që shumë prej këtyre hapësirave nuk janë vetëm klube, por institucione arti. Aty pastaj ndodh një përplasje e bukur mes muzikës elektronike/eksperimentale dhe kontekstit kulturor dhe aty ndihem në shtëpi.



Do duket shumë klishe kjo pyetje, por si u ndjetë kur performuat në Berghain? Dua të them… është një ndër klubet më të famshme në botë, në mos më i famshmi, dhe nuk di nëse ka pasur DJ të tjerë shqiptarë që kanë performuar aty. A jeni ju e para?

 

Kam performuar bashkë me Andrra dhe Galuche, dy artiste kosovare të lindur dhe rritur në Gjermani, ndërsa unë isha nga Prishtina. Vetë kjo dinamikë ishte shumë e veçantë e me shume peshë për mua. Pa diskutim ishte një nga përvojat e mia më të rëndësishme profesionale. E dija që do t'përjetoja diçka ndryshe aty, dhe ajo padyshim ishte kontakti me sistemin e tyre të zërimit. Nuk do ta harroj kurrë momentin e track-ut të parë kur e lujta në sound system-in Function-One në Berghain. Po m'pëlqente muzika akoma ma shumë se si ndëgjohej. Aty e kupton realisht çfarë do të thotë “fuqia e zërit, fuqia e sound-it”. Seti im ishte planifikuar të zgjaste për dy orë, por përfundoi pesë orë të plota, sepse publiku nuk më linte të mbaroja. E mbaj mend para atij gigut, kam qenë  super e stresuar, e nervoze, me zero pritshmëri. Nuk e kam prit fare që do të pritem aq mirë, e që do shkoj me aq sukses ai event. 

Berghain nuk është thjesht klub: është eksperiencë. Dhe po, performanca atje e rriti profilin tim si artiste në një majë më të lartë.


Këtë vit muzika elektronike në Shqipe (Shqipëri/Kosovë) ka pasur shumë prurje dhe talente të reja, në sensin që nuk bëhen thjesht remikse si vite më parë, por krijime origjinale. Nëse bëni një krahasim me kohën kur ju filluat të DJ-oni, sa kanë ndryshuar gjërat në këtë zhanër?

 

Ka ndryshuar, patjetër, por jo aq sa do të doja në fakt. Kur fillova te luaj muzikë profesionalisht në vitin 2010, dominonin remix-et; sot padyshim ka shumë e më shumë krijime origjinale dhe kjo është pozitive.Megjithatë, do të doja të shihja më shumë guxim, më shumë risk dhe më pak kopjim. Dhe më shumë identitet. Muzikë që tregon dhe histori e jo të jetë vetëm zbavitëse. Kur kjo të ndodhë më shpesh, atëherë mund të flasim për një pjekuri reale të skenës.



Ju jeni gjithashtu aktiviste e njohur për të drejtat e njeriut dhe njiheni në Prishtinë që prej aktiviteteve që keni organizuar në lokalin tuaj Gegë, i cili ka shërbyer edhe si një “safe place”  për personat e shtypur, e të paragjykuar. A është shoqëria shqiptare më e pranueshme, më tolerante në 2025?

 

Po, Gegë ishte lokali im i parë, të cilin e hapa në vitin 2010. Ditën funksiononte si bar-kafene, mbrëmjeve transformohej në një mini-club. Aso kohe nuk organizoheshin events në bare, përveç klubeve. Ishte diçka qe po ndodhte e re në Gegë, që klubi të transformohej në bar, ku të gjitha llojet e eventeve mirëpriteshin jashtë mase mirë nga publiku me shumë kërshëri dhe dashni. Aty e kam kuptu qe rinia e Prishtinës është e etur për ngjarje kreative, inovative, edukative. Në atë kohë ishte ende tabu që gratë të punonin në bar, e lëre më ta drejtonin atë. Isha shumë e re, fare e papërgatitur që do ta kem një luftë super agresive me patriarkatin në Kosovë. Isha e vetmja grua, stafi ishte komplet burra. Nuk pranonin gratë të punonin në bar. Gradualisht, përmes aktiviteteve edukative, kulturore, hapësira filloj të bëhet gjithë përfshirëse, ku jo vetëm gratë filluan të punojnë në Gegë, por edhe persona të tjerë të margjenalizuar. Gegë ishte vërtetë hapësirë ku gjithë ndiheshin të lidhur me njëri-tjetrin e t'sigurtë. Patjetër që sot ka përparim të dukshëm, kanë kaluar gjithë këto vite, por toleranca nuk është lineare. Kohë pas kohe shoh hapa përpara dhe hapa prapa si në Kosovë edhe Shqipëri. Prandaj nuk më pëlqen të romantizohet progresi, sepse ai shpesh maskon humbjen si fitore dhe e quan zhvillim atë që në thelb është përjashtim. Por dua të theksoj që ka lëvizje të mëdha pozitive në gastronomi dhe jo vetëm, sepse sot ka gra të shumta aktive në udhëheqjen e menaxhimin e lokaleve dhe po ashtu, çdo ditë ka më shumë gra që janë DJ, producente. Ky ndryshim, ky fakt, më shton jetën. Më lumturon shumë. 



A e keni menduar ta rihapni Gegë?

Jo si lokal, por si koncept, Gegë Promotion vazhdon të funksionojë përmes projekteve kulturore, artistike dhe aktiviste. Gegë vazhdon të jetë në lëvizje...


Shumë prej artistëve me të cilët ju keni punuar dhe jeni shoqëruar në atë kohë, janë sot (përfshirë edhe juve) emra të njohur dhe të suksesshëm për publikun shqiptar. Cila mendoni se ka qenë e përbashkëta e këtij suksesi?

 

Mendoj pasioni, disiplina, etika e punës, përkushtimi afatgjatë dhe dashuria e sinqertë për muzikën. Pa shortcut-e, pa iluzione, por me shumë andrra. 


Keni përmendur Violetën, Armendin dhe Aidën nga artistët shqiptarë si frymëzues të hershëm… Love them! E mban mend “Nëse je DJ?” — HA! Sikur ta luanit të ripërpunuar në ndonjë set “Vetëm jam që tetë net” nga Aida, do ishte fantastike!

 

Po, gjithmonë e them: ata kanë ndikuar shumë në formimin tim, jo vetëm muzikor, por edhe estetikisht. Prej tyre kam mësuar që artisti duhet të jetë një paketë e plotë në skenë, i talentuar, i guximshëm, i vetëdijshëm dhe autentik. Dhe po, këngët e tyre i kam miksuar përherë në setet e mia. Fun fact: funksionojnë gjithmonë. Sepse muzika e vërtetë, është ajo e cila i reziston kohës, është muzikë e përjetshme.



Duhet ta përmend që historikisht keni një stil shumë cool! Duke menduar të vizitoj Kosovën së shpejti, cilët stilistë lokalë mund të rekomandoni për t’i vizituar? 

 

Oh faleminderit shumë! Në fakt gjithmonë jam stiluar natyrshëm vetë kudo. Dhe vazhdoj, por është edhe shumë saktë që bashkpunoj, mbështes, e pëlqej gjithashtu shumë dizajnerë lokalë të cilët janë fantastik, disa prej tyre kanë arritur të depërtojnë  dhe ndërkombëtarisht, falë punës e përkushtimit të tyre. GjIthsesi po i listoj disa emra të dizajnerëve nga Kosova dhe nga Shqipëria që e vlerësoj jashtë mase punën e tyre: Laura Imami, Fight or Flight, Tu-Ti Atelier, Lirika Matoshi, Yllka Brada, Krenare Rugova, Flutra Dedinja, Studio Njomzë, Pristine Original, Maet, Era Bajo, Flaka Lahaj, Jori Papaj, e shumë tjerë. Ka një gjeneratë shumë interesante që po ndërton identitet bashkëkohor lokal e ndërkombëtar, dhe kjo më gëzon realisht shumë.


Unë këtë vit kam qenë i fiksuar me “Lali”. Shumë effin’ amazing! Kam dhe diçka që, kur më pëlqen shumë një këngë më fillon automatikisht dhe më krijohet në mendje një si tip videoje e saj. E duke dëgjuar “Lali” po imagjinoja kur isha i vogël me prindrit në tren, duke shkuar në plazh. Rrëmuja e stacionit, kalimi nën lisa, deti, hoteli, hapat e parë në rërë, buzqeshjet e prindërve, fustani blu me lule i nënës...dhe u bëra kurioz të di se cila është historia mbas krijimit të këngës “Lali”...

 

Sa shumë prekem kur ndëgjoj për Lalin që po pëlqehet në atë masë. Shumë faleminderit! Trackun “Lali” ia kam dedikuar babait tim, të cilin e humba në qershor 2024. Pas largimit të tij, vëllai më tregoi një video ku babi fliste për fansat e mi dhe muzikën elektronike, duke i krahasuar me dervishë. Janë një lloj dervish, kishte thënë. Më provokoi jashtë mase opinioni i tij, lidhshmëria e teknos me dervishët. Nuk po m'hiqej nga mendja gjatë gjithë kohës.
Pak muaj më vonë performova në St. Aegidien Church në Lübeck, për 100-vjetorin e “The Magic Mountain” të autorit të madh gjerman, Thomas Mann. Ishte një moment shumë i fortë emocionalisht. Përderisa po performoja, e kisha babin prezent aty gjithë kohës. Madhështia dhe akustika e kishës, e bënin akoma më t'fuqishem emocionin që po e përjetoja aty për aty. Nuk e dijnë shumë, përveç rrethit tim më të ngusht, që kontaktin tim të parë me muzikën, e kam pasur me gospel music. Si e vogël kam shkuar shumë në kishën protestante, ku aty dhe kam ushtruar të luaj instrumentin e parë, kitarën. Muzika e kishës ka ndikuar shumë në formimin tim si artiste. Të përformoja në kishë të tillë, siç ishte ajo e St. Aegidien, dhe për një event aq prestigjioz për Thomas Mann, ishte ndër ngjarket më të bukura e më inspiruese që kam perjetuar. 
Të nesërmen, në Berlin, jam ulur të shkruaj, dhe “Lali” doli vetë. Pa plan, pa kalkulim. Një gjë e dija, që duhej ta nxirrja jashtë gjithë atë që po përjetoja ato muaj, e ato ditë specifike. Po, jam duke punuar vazhdimisht në materiale dhe projekte të reja dhe shpresoj t’ju prekin po aq.



Dhe, mesa kam lexuar, keni qenë duke punuar për një EP. A është ende në plan dhe, nëse po, kur do të publikohet? 

 

Keni lexuar sakt. Po, jam duke punuar në EP-in me Red Section label, Berlin, dhe shpresoj shumë që përkundër tureve që i kam të planifikuara, EP-në të publikoj këtë vit. Kjo EP do jetë ndoshta pasqyra më e saktë e kompleksitetit të muzikës sime deri tani.



Kam miq DJ të cilët tregojnë histori nga më të çuditshmet. A ka pasur ndonjë rast gjatë performancave tuaja që ju ka çuditur apo ju ka befasuar?

 

Sigurisht kam histori të tilla plot, nga më të çuditshmet.., por që mendoj m'kanë forcuar akoma më shumë si grua në  skenën elektronike, ku dihet që kjo industri ka qenë dominante historikisht vetëm nga burrat. Një track feminist që e luaj prej vitesh më ka sjellë reagime përhere të ndryshme të çuditshme, por edhe reagime ekstreme, përfshirë dy sulme fizike. Në njërin rast, në Tiranë, përderisa po e luaja trackun, një burrë erdhi në skenë, dhe tentoi ta ndalonte setin me shumë forcë; në tjetrin, në Prishtinë, dikush më gjuajti me akull në fytyrë dhe pajisje, në mënyrë që ta ndalnin muzikën, e të më hiqnin nga skena. Por muzikën në asnjërin rast, nuk e kam ndaluar. Dhe nuk do ta ndaloj kurrë në të tilla raste.


Cilat janë tre gjërat që kurrë nuk duhet t’ia kërkoni një DJ-je gjatë setit?

Mos i flisni DJ-it para setit. Mos i kërkoni këngë DJ-it gjatë setit. Mos i bëni muhabet DJ-it gjatë setit.


Kur do të jetë performanca juaj e radhës në Tiranë? Do ta kemi në mend që të mos bëjmë asnjërën nga tre gjërat e këshilluara më sipër :P

Hahaha, besoj që ti je nga ata që i di këto rregulla pa i shkruar. Shumë shpejt do jem në Tiranë e ftesa vjen patjetër. Së shpejti do të publikohen datat e tour-it tim për vitin 2026. Uroj të shkoj me sukses, e mezi po pres me shiju vitin me gjithë juve! 

 

Intervistoi: Elbino.

Albanyac © 02/2026






Powered by Blogger.